Skip to content

Lulzim Basha: S’i kam dhënë kurrë besën Sali Berishës, ja pse nuk e kam “vrarë” deri më sot

Në intervistën e dhënë për News 24, Lulzim Basha ka folur edhe për akuzat e Sali Berishës, se ai është besëprerë.

Ai është pyetur edhe për pjesën në librin e vet “Misioni im”, ku thotë se nuk e ka “vrarë babain” e tij, Sali Berisha, libër i botuar para shpalljes non grata të Berishës.

“Nëse ka një njeri që nderon trashëgiminë pozitive dhe respekton paraardhësin në partitë popullore evropiane jam unë.

E kam bërë në nderim të gjerave pozitive që Berisha dhe ekipi i tij ka bërë për Shqipërinë, sigurisht duke tejkaluar edhe pjesët negative për të cilat kemi paguar koston tonë.

Kam vazhduar ta bëjë këtë edhe kur kishte thirrje publike për linçimin e tij. Edhe në momentin kur SHBA kanë bërë presion maksimal për largimin e tij nga PD dhe largimin e tij nga Parlamenti, duke vendosur pezullimin nga grupi parlamentar pa e larguar as nga PD as nga Parlamenti, deri në zgjidhjen e mosmarrëveshjes me SHBA-të.

Qëndrimet e të cilit ndryshojnë si nata me ditën. Deri para 9 shtatorit isha lideri më i mirë, citoj atë “isha kandidati më i mirë për kryeministër, njeriu që në jetën time kisha realizuar gjëra që Ramës do ti duheshin tre jetë për të realizuar. Cfarë ndryshoi pas 9 shtatorit?

Në momentin që nuk i qëndroi premtimit publik që nuk do përfshinte PD-në dhe grupin parlamentar me SHBA-të, përkundrazi nisi një betejë ku përfshiu plotësisht PD-në. Sa i përket besprerjes që është një nga sulmet më të ulëta që është bërë në këto dy muaj nga Sali Berisha.

Nuk ka patur kurrë një besë mes meje dhe Sali Berishës për ti rënë me shkelm sakrificave të demokratëve nëse cenohej interesi i njërit apo tjetrit, për të mbrojtur shpinën e njërit apo tjetrit.

Na ka lidhur një tjetër besë, ajo e vlerave euro-atlantike që e coi Shqipërinë në NATO, e interesit kombëtar për pavarësinë e Kosovës, besa për interesat e shqiptarëve”, tha Basha.