Autoritetet kolumbiane kanë njoftuar se kanë sekuestruar 10 ton kokainë nga dy laboratorë sekretë në jugperëndim të vendit, të cilat sipas ushtrisë i përkasin guerilasve të ELN-së, transmeton AFP.

Është konfiskimi më i madh i kokainës për vitin, tha për mediat ministri kolumbian i Mbrojtjes Diego Molano.

Droga u gjet në dy laboratorë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (ELN) në një fshat në departamentin Narino në kufi me Ekuadorin dhe u mor në një operacion të përbashkët nga ushtria, policia dhe aviacioni.

“Dhjetë tonë, që do të thotë më shumë se 300 milionë dollarë që mund të ishin fituar nga ELM, grupi që kontrollonte ata dy laboratorë”, tha Molano.

Zyra e prokurorit tha se droga ruhej për t’u dërguar në Amerikën Qendrore, një nga rrugët më të përdorura për tregtinë e paligjshme të drogës drejt Shteteve të Bashkuara, konsumatori kryesor në botë i kokainës kolumbiane.

Pas gjysmë shekulli luftë kundër trafikut të drogës dhe pavarësisht mbështetjes së SHBA-së, Kolumbia mbetet prodhuesi kryesor i kokainës në botë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re