Një shkrepje mjeshtërore që tregon madhështinë e Vjosës, pagëzuar si “lumi më i egër i Europës”, i jep Shqipërisë një vlerë të veçantë natyrore, thënë me gjuhë populli, “si lum që e ka”.

Është Agjencia Kombëtare e Turizmit që ofron pamjen e mahnitshme të rrjedhës që vjen nga Greqia e futet në Shqipëri, duke kaluar nëpër Përmet fillimisht e më pas në Tepelenë, Memaliaj, Mallakastër, Fier e Vlorë, për të përfunduar në det.

Ndërsa kjo pamje i përket zonës së Mallakastrës.

Siç saktëson agjencia në fjalë, fotoja i përket fotografit Bleron Çaka, një nga konkurentët fitues në kategorinë “peizazhe” të Konkursit Ndërkombëtar të Fotove dhe Videove Reels “Wanderlust in Albania”.

Kujtojmë se kohë më parë, qeveria do e shpallte Vjosën si “Park Kombëtar”, duke shpallur dhe një firmë të huaj si fituese e investimit aty në kuadër të vizitueshmërisë turistike.

Po ashtu, një hidrocentral që do ndërtohej aty, nisur që në vitet ’90-të, ai i Kalivaçit, pothuajse konsiderohet i zhbërë si projekt.

Duhet kujtuar gjithashtu se për Vjosën shfaqte brengë dhe vetë Leonardo di Caprio, me mesazhin që duhej ruajtur si një pasuri e rrallë e Europës dhe jo vetëm e Shqipërisë. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re