Një 75 vjeçar ka qëlluar me automatik në drejtim të vëllait të tij, pas një mosmarrëveshje mes të dyve. Policia shprehet se të dy kanë patur mosmarrëveshje për pronat, ndërsa disa prej fqinjëve thonë se kanë patur përplasje për disa pula e zogj.

Ngjarja e shëmtuar ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të kësaj të premteje në fshatin Ngurrëz të vogël të Lushnjes.

75 vjeçari i quajtur Sami Veliu kishte pritur të vëllanë, Faikun, teksa ky kishte dalë për të kontrolluar bagëtitë në kasolle. 65 vjeçari mori disa plumba në trup dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin e traumës në Tiranë.

Krismat u dëgjuan nga bashkëshortja e të plagosurit e cila njoftoi policinë. Policia vuri në kërkim autorin dhe arriti ta prangosë dy orë pas krimit.

Policia njoftoi se ka kapur të moshuarin si dhe se ka gjetur armën e krimit.

“Pas marrjes së njoftimit se në spitalin e Lushnjës ka shkuar i plagosur me armë zjarri shtetasi F. V., 65 vjeç, menjëherë është ngritur grupi hetimor dhe falë veprimeve të shpejta hetimore e profesionale dhe reagimit në kohë të shërbimeve të Policisë, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi dhe kapja e autorit, i cili është vëllai i 65-vjeçarit.

Kronologjia:

Shtetasi F. V., rreth orës 05:00, ka dalë jashtë banesës për tu kujdesur për bagëtit e tij dhe është goditur me armë zjarri automatik nga largësia nga një person të cilin ai nuk arriti ta shikonte.

Autori u largua nga vendgjarja dhe u fsheh në një banesë të braktisur në fshatin Ngurrëz e Vogël. Pas krehjes së zonës dhe veprimeve hetimore operacionale, Policia bëri të mundur kapjen e autorit bashkë me armën e zjarrit, një kallëp tritoli bashkë me ndezësin dhe fishekë luftarak.

Nga tërësia e veprimeve hetimore rezulton se shtetasi Sami Veliu ka qëlluar me armë zjarri kundrejtë vëllait të tij për motive pronësie.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë, në përfundim të veprimeve hetimore arrestuan për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” shtetasin Sami Veliu.

Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprime të mëtejshme.”-njoftoi policia.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re