Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se në rast se do të mbahej ndonjë referendum për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, ai do të votonte pro.
Kurti këto deklarime i bëri përgjatë një interviste me Euronews, vetëm disa ditë pasi partia e tij Vetëvendosje fitoi pjesën më të madhe të votave në Kosovë deri më tani, duke i hapur rrugën Kurtit për të formuar qeverinë.
Ndër të tjera, ai sqaroi se akoma Kosova nuk ka një ligj për referendume, por nëse bashkimi do të arrihet në mënyrë paqësore dhe demokratike, ai do të votonte pro.
“Ne ende nuk kemi ligj për referendume në Kosovë, por dy referendume ndërmjet shtetit tonë dhe Shqipërisë do ta zgjidhnin një gjë të tillë”, deklaroi Kurti, kur u pyet nëse e mbështet ende idenë e bashkimit kombëtar me Shqipërinë.
“Sapo që të përforcohej shteti i Kosovës. Pasi që të arrijmë ta bëjmë atë në mënyrë paqësore dhe demokratike. Mendoj se do të votoja pro. Po”, deklaroi tutje Kurti, pasi u pyet se si do të votonte në atë referendum.
Ndër të tjera, Kurti ka folur edhe për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, për të cilin ka thënë se do kërkojë reciprocitet nga Serbia.
(E.H/Faxweb.al)
/faxweb
