Presidenti i Francës, Emmanuel Macron zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin e Azerbajxhanit, İlham Aliyev.

Në një deklaratë nga Presidenca e Azerbajxhanit thuhet se Macron ka telefonuar Aliyev-in dhe i ka shprehur shqetësimin për tensionet e rritura në rajon ditët e fundit.

Macron ka tërhequr vëmendjen mbi rëndësinë për vazhdimin e negociatave mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, për zbatimin e dispozitave të deklaratës trepalëshe të datës 10 nëntor 2020. Ai ka thënë se Franca është e gatshme të mbështesë vazhdimin e dialogut mes dy vendeve.

Aliyev ka njoftuar se nga Armenia është kryer edhe një tjetër provokim ushtarak dhe se një ushtar i Azerbajxhanit ka humbur jetën si pasojë e provokimit të kryer në territoret e Azerbajxhanit në të cilën janë vendosur përkohësisht elementët rusë.

“Ushtria e Azerbajxhanit ka penguar provokimin”, tha Aliyev duke shtuar se e gjithë përgjegjësia për tensionet i përket Armenisë.

Ai thekson se ushtarët armenë dhe njësitë e paligjshme ilegale ushtarake armene që vazhdojnë praninë në rajonin Karabak të Azerbajxhanit duhet të nxirren nga territoret e Azerbajxhanit. “Kjo nuk është siguruar ende nga ana e Armenisë. Qeveria e Jerevanit ka shkelur deklaratën trepalëshe të datës 10 nëntor 2020 dhe se nuk i ka përmbushur përgjegjësitë e saj”, tha Aliyev.

Presidenti azer potencoi se si rezultat i marrëveshjes së arritur me Ministrinë ruse të Mbrojtjes në përputhje me dispozitat e deklaratës trepalëshe, u përcaktua destinacioni i rrugës së re alternative për korridorin Lachin. Aliyev shtoi se rruga është ndërtuar nga ana e Azerbajxhanit, se ajo është në përfundim dhe se kur të përfundojnë punimet është planifikuar që elementët rusë të vendosen në atë rrugë.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re