Presidenti aktual i Francës, Emmanuel Macron paralajmëroi kundërshtaren e tij të ekstremit të djathtë Marine Le Pen të mërkurën se do ta çonte vendin në prag të luftës civile nëse ndalonte mbajtjen e shamive ose hixhabeve nëse ajo fiton në zgjedhjet presidenciale.

“Me mua nuk do të ketë asnjë ndalesë të shamisë, kapelave dhe simboleve fetare”, tha Macron gjatë një debati televiziv në TF1 dhe France 2, ku kandidatët për presidentë francezë patën mundësinë t’u drejtohen miliona qytetarëve për t’i bindur që të votojnë për ta në raundin e dytë më 24 prill.

Debati u dominua nga diskursi i ekstremit të djathtë që dominonte fushatën. Le Pen tha se duke ndaluar mbajtjen e shamisë në vende publike, ajo synon të çlirojë gratë muslimane nga “uniformat e imponuara nga islamistët”.

Macron kundërshton ndalimin e propozuar, duke thënë se është antikushtetues dhe do të çojë në një “luftë civile”. Ai tha se ligji për sekularizmin e vitit 1905 nuk i referohet “luftës kundër fesë”.

Le Pen, nga ana tjetër, sulmoi Macronin për përçarje dhe ndarje të shoqërisë franceze gjatë 5 viteve të tij në pushtet. Ajo këmbënguli se projekti i saj kishte të bënte me “dhënien e përparësisë francezëve në vendin e tyre”, gjë që donte ta arrinte duke vendosur një referendum mbi iniciativën qytetare dhe reforma të tjera për të përmirësuar jetën e përditshme të qytetarëve.

Le Pen sulmoi Macronin për dështimet e tij ekonomike gjatë mandatit të tij 5-vjeçar, duke u fokusuar në fuqinë blerëse, papunësinë, rritjen e taksave të karburantit që nxitën protestat e “jelekëve të verdhë” dhe një borxh prej 600 milionë eurosh në kuadër të pakos së rimëkëmbjes së pandemisë së COVID-19.

“Kam parë vetëm francezët që më thoshin se nuk mundën më, nuk mund të sigurojnë më bukën e gojës”, tha Le Pen.

Macron, nga ana tjetër, shfrytëzoi pikat e dobëta të Le Pen, Rusia dhe Bashkimi Evropian, dhe e akuzoi atë se varej nga Rusia dhe presidenti i saj, Vladimir Putin, për financimin e partisë së saj.

Ai tha se donte të siguronte që lufta në Ukrainë të mos përhapej dhe se vetëm një “Evropë e fortë” mund të “zbuste Rusinë”, duke theksuar se “ne nuk jemi vasalë të askujt”.

Sondazhet e opinionit tregojnë se Emmanuel Macron rriti epërsinë e tij ndaj rivales Marine Le Pen në 56 për qind.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re