Të mërkurën, presidenti francez Emmanuel Macron bëri thirrje për një “Evropë të fortë dhe të pavarur” në një fjalim mbi prioritetet e presidencës franceze të Bashkimit Evropian dhe i bëri thirrje Ballkanit Perëndimor t’i jepet një perspektivë e qartë për anëtarësimin në Union.

Macron tha se Evropa nuk mund t’i kthejë shpinën Ballkanit Perëndimor dhe të shkuarës tragjike, por edhe të ardhmes së ndritur në zemër të kontinentit evropian.

“Ata kanë plagë, të cilat na tregojnë se sa e brishtë mund të jetë paqja dhe sa i fortë mund të jetë bashkimi ynë. Prandaj sot duam të mendojmë për marrëdhëniet tona me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe t’u japim atyre një perspektivë të qartë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, tha Macron.

“Ne duhet të jemi politikisht të sinqertë, duhet të shikojmë përsëri mënyrën se si funksionon Evropa dhe formën e Evropës. Prandaj konferenca për të ardhmen e Evropës duhet të lidhet me konferencën për Ballkanin Perëndimor”, shtoi presidenti francez.

“Shërim, forcë, përkatësi”, është motoja e Francës, e cila kryeson për herë të 13-të presidencën e Këshillit të BE-së, herën e fundit në vitin 2008.

Prioritetet e presidencës franceze janë reforma e zonës Shengen, mbrojtja e kufijve dhe lufta kundër migracionit të paligjshëm, tranzicioni i gjelbër dhe dixhital, si dhe Ballkani Perëndimor.

Macron dëshiron që Evropa të vendosë një “rend të ri sigurie” me NATO-n në lidhje me Rusinë dhe bëri thirrje për një “dialog të ndershëm dhe kërkues” me Moskën.

Ai shtoi se Franca dhe Gjermania duhet të vazhdojnë bisedimet me Ukrainën dhe Rusinë në formatin e Normandisë për krizën ukrainase.

Macron u tha gjithashtu eurodeputetëve se BE dhe Britania “duhet të gjejnë një mënyrë besimi” pas Brexit.

“Demokracia, progresi dhe paqja, premtimet mbi të cilat mbështetet Evropa, janë vënë në pikëpyetje dhe nevojitet punë për t’i ruajtur ato”, tha Macron.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re