Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka përsëritur pretendimin e tij se Turqia do të ndërhyjë në zgjedhjet që do mbahen në Francë.

Macron mbajti një konferencë për media në kuadrin e Samitit të Liderëve të Bashkimit Evropian (BE).

Ai vuri theksin se thëniet rreth Turqisë gjatë një interviste të publikuar disa ditë më parë janë një vëzhgim.

“Sot në kontinentin e Evropës, përfshirë Diyanetin (kryesinë e çështjeve fetare), ndodhen grupe politike, grupe të krijuara dhe organizata të shoqërisë të cilat vendosen në veprim nga organet zyrtare propagandistike të Turqisë. Këto dihen dhe njihen. Ndonjëherë ato ndërhyjnë në zgjedhjet tona, herë të tjera ndërhyjnë në financimin e shoqatave. Këtë e kemi vërejtur sërish në ditët e fundit”, tha Macron.

Më tej ai ka mbështetur ministrin e Brendshëm francez Gerald Darmanin duke thënë se ai ka të drejtë për reagimin që ka dhënë ndaj bashkisë Strasbourg dhe kryebashkiakes Jeanne Barseghian për ndihmën me 2,5 milionë euro për ndërtimin e xhamisë Eyüp Sultan në Strasbourg të lidhur me Bashkësinë Islame Vizioni Kombëtar (IGMG).

Përbën problem prania e shoqatave të cilat theksojnë se nuk mund t‘u përmbahen “vlerave republikane” në Francë, shpjegoi Macron, i cili deklaroi më tej se “ekziston edhe ndërhyrja e organizatave propagandistike që transmetojnë në kanalet e tyre. Pra po, këto rreziqe përcaktohen edhe në vendet e tjera të Evropës. Edhe për zgjedhjet e ardhshme janë përcaktuar rreziqet e ndërhyrjes”.

Macron bëri të ditur se ky është një problem dhe se nuk mund të pretendohet për marrëdhënie miqësore nëse nuk zgjidhen këto probleme.

“Franca nuk ka organ propagandistik. Franca nuk financon shoqata, struktura fetare që veprojnë në vende të huaja ose që marrin pjesë në zgjedhje në vende të huaja në emër të Francës. Do të shokoheshit nëse do të kishte. Është normale të shokoheni në prani të një demokracie siç është demokracia jonë. Sinqeriteti ynë na e imponon këtë dhe ne duhet ta zgjidhim këtë”, vlerësoi Macron.

Duke përmendur marrëdhëniet me Turqinë, Macron tha se nga Turqia janë shënuar zhvillime pozitive por që fjalët duhet të shndërrohen në vepra.

Më tej ai tha se në marrëdhënie do të shënohet përparim nëse Turqia vazhdon të hedhë këto hapa pozitivë, në të kundërtën do të bëhen hapa prapa.

Presidenti Macron në një intervistë në kanalin France 5 ishte shprehur se “në zgjedhjet e ardhshme do të ketë përpjekje për ndërhyrje nga turqit”.