Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i ka thënë kryeministrit britanik, Boris Johnson, se duhet ta mbajë fjalën rreth Brexit-it, nëse dëshiron një rivendosje marrëdhëniesh me Francën.

Presidenti francez zhvilloi bisedime me kryeministrin britanik në mëngjesin e së shtunës si pjesë e samitit të Grupit G7, që po mbahet në Angli e ku liderët e BE-së kanë paraqitur një front të bashkuar kundër mosmarrëveshjes me Britaninë për Irlandën Veriore.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e paralajmëroi të shtunën kryeministrin britanik se Britani përballet me mundësinë e masave ligjore dhe taksave të mundshme, nëse i shkel pikat e marrëveshjes duke e shtyrë në mënyrë të njëanshme ndalimin e qarkullimit të disa produkteve nga Mbretëria e Bashkuar në Irlandën Veriore.

Johson kishte nënshkruar një marrëveshje për ndalimin e dërgimit të mishit të ngrirë nga Britania në Irlandën Veriore. Ky vendim pritet të fillojë së zbatuari nga fundi i këtij muaji, shkruan Independent
Në kuadër të takimeve të Grupit G7 po marrin pjesë liderët e shtatë shteteve të industrializuara: ShBA-ja me presidentin Biden, Gjermania me kancelaren Merkel, Franca me presidentin Macron, Kanadaja me kryeministrin Trudeau, Italia me kryeministrin Draghi, Britania si vend pritës me kryeministrin Johnson dhe Japonia me kryeministrin Suga.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re