Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në Madrid me rastin e pjesëmarrjes së Shqipërisë në Panairin ndërkombëtar “FITUR 24” zhvilloi sot një takim, mëngjes pune, në rektoratin e UNED, (Universiteti Kombëtar i Edukimit në Distancë), me të cilin po punohet rreth projektit për kampusin e Gjirokastrës, që këtë vit do t’i bashkohet sistemit europian të UNED-it, duke u dhënë studentëve shqiptarë mundësinë e programeve dhe diplomave të UNED, pa lëvizur nga Shqipëria.

Rektori i Universitetit Kombëtar të Edukimit në Distancë, Ricardo Mairal, i cili përfaqëson edhe Universitetin e Madridit, u shpreh se kjo vizitë do t’i shërbejë nxitjes së bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shkëmbimeve në arsim midis dy kombeve dhe dy vendeve.

“Ju uroj mirëseardhjen të gjitha autoriteteve të ulura rreth kësaj tryeze. E sotmja është një ditë vërtet e jashtëzakonshme për Universitetin, pasi vizita dhe prania juaj përbën një rast të shënuar që simbolizon angazhimin tonë të plotë për nxitjen e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shkëmbimeve në arsim midis dy kombeve dhe dy vendeve.

Unë mund ta përfytyroj vërtet një të ardhme të afërt, në të cilën të dyja vendet do të mund të ndajnë dije, kërkim shkencor, lëvizshmëri dhe pikëpamje kulturore, ndaj prania juaj sot këtu thekson angazhimin tonë të mirëfilltë, projektin tonë për të ndërtuar një botë, ku kërkimi shkencor nuk njeh kufij, ku arsimimi mund të bëhet gjuha jonë universale, që shërben si lidhje mes nesh të gjithëve.

Pra, faleminderit shumë, pasi, siç e thashë, prania juaj sot është dëshmi e rëndësisë që ka diplomacia për arsimin dhe presim me padurim morinë e projekteve që do të ndihmojnë në nxitjen e bashkëpunimeve afatgjata midis dy vendeve.

Uroj që bashkëpunimi ynë të shërbejë si udhëzues për ekselencën në arsim dhe bashkëpunimin kulturor.

Siç e përmenda z. Kryeministër, ne ndihemi vërtet të nderuar që ju kemi këtu e që nisim një projekt, një projekt kaq stimulues, që do të thotë shumë për të dyja vendet dhe, veçanërisht, për Universitetin e Madridit, të cilin kam privilegjin ta përfaqësoj sot këtu.” – u shpreh rektori i UNED Ricardo Mairal.

Nga ana e tij, Kryeministri Rama vlerësoi mundësitë e reja të bashkëpunimit të ndërsjellë, në të ardhmen, ku dyert e universiteteve do të jenë të hapura për studentët e vendeve respektive.

“Kjo është një nga përparësitë tona kryesore, të bëjmë të mundur që universitetet tona të dalin nga bota e referimit te vetja dhe të bëjnë marrëveshje të tilla  për t’iu dhënë mundësi studentëve tanë që të marrin arsim me cilësi sa më të lartë, pa iu dashur të largohen nga vendi.

Njëkohësisht, është kaq mirë të parafytyrosh një të ardhme ku studentët europianë të vijnë të studiojnë në Shqipëri, falë këtyre universiteteve. Ky është një prej rezultateve kryesore që synojmë.

Po ashtu, kemi disa marrëveshje shumë të mira aktualisht me disa universitete. Kemi çelur gjithashtu Kolegjin e Europës në Shqipëri, që është po ashtu mjaft me rëndësi. Në fakt, është dega e dytë e Kolegjit të Europës pas Polonisë. Presim me padurim që të çelet ky kampus i ri dhe jam i sigurt që kolegët tuaj do e shijojnë ardhjen në Shqipëri.” – u shpreh kryeministri Rama gjatë këtij takimi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re