Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, ka deklaruar se, “Ne jemi vendi me rezervat më të mëdha të naftës në botë. SHBA po përpiqet të konfiskojë naftën tonë ashtu sikurse në Libi dhe në Irak”.

Në një video të publikuar në llogarinë e tij në rrjetin social, Maduro tha se kundër Venezuelës ka filluar një luftë psikologjike dhe mediatike e mbështetur edhe në nivel ndërkombëtar kryesish nga SHBA-ja.

Pasi ka ripërsëritur se në vendin e tij ka një tentativë për grusht shteti e cila drejtohet dhe financohet nga qeveria e SHBA-ve, Maduro tha: “Po bëjnë lajme gënjeshtra duke publikuar video të montuara. Mos u besoni atyre çfarë paraqesin mediat amerikane. Po përpiqen ta paraqesin të drejtë ndërhyrjen e tyre në vendin tonë me lajme të rreme çdo ditë, sepse nuk mund të shpikin gënjeshtrën se unë kam armë të shkatërrimit masiv për të ndërhyrë ndaj Venezuelës”.

“Të mos lejojmë përjetimin e një rasti si Vietnami në Amerikën Latine. Nëse Amerika tenton të ndërhyjë ndaj nesh ajo do të përballet me një Vietman shumë më të keq se sa mund ta imagjinojë. Të mos lejojmë dhunën, ne jemi një popull i paqes. Ne jemi krenarë me historinë e Simon Bolivar dhe Hugo Chavez”, tha Maduro duke i bërë thirrje popullit amerikan për unitet dhe ndërgjegjësim.

Ai thekson se në Venezuelë ekziston një demokraci solide dhe se Venezuela meriton të respektohet. “Ne jemi vendi me rezervat më të mëdha të naftës në botë. SHBA po përpiqet të konfiskojë naftën tonë ashtu sikurse në Libi dhe në Irak. Ne jemi vendi që kemi më shumë rezerva të arit në botë dhe i katërti në botë me rezervat më të mëdha të gazit natyror”, tha MAduro duke shtuar se:

“Arsyeja më e madhe që ata na sulmojnë është se kemi një sasi të madhe të burimeve natyrore dhe energjisë. Prandaj ju bëj thirrje që të jeni të ndërgjegjshëm, të mos besoni radikalët si Mike Pompeo, John Bolton, Mike Pence që ndodhen përreth qeverisë së Donald Trump dhe gënjeshtrat e tyre rreth Venezuelës si dhe të mos e lejojmë grushtin e shtetit që ata drejtojnë”.

“SHBA është shumë më e madhe se Donald Trump. Prandaj, unë do të doja që problemet tona t’i zgjidhim në mënyrë paqësore dhe diplomatike dhe dëshiroj që ju të respektoni popullin e Venezuelës. Mbështetjen e popullit amerikan e dua që të mos ndodh një Vietnam i ri, veçanërisht në Amerikën tonë”, tha Maduro duke uruar vendosjen e marrëdhënieve të afërta me SHBA-në.

Zhvillimet në Venezuelë

Tubimet e mbështetësve të opozitës dhe qeverisë në Venezuelë shkaktuan zhvillime të rëndësishme në aspektin e vendit dhe rajonit.

Juan Guaido u vetëshpall president i përkohshëm, ndërsa ky hap u njoh nga SHBA-ja, Australia, Kanadaja, Kolumbia, Peru, Ekuadori, Paraguaji, Brazili, Kili, Panamaja, Argjentina, Kostarika dhe Guatemala, shkruan AA. Ndërsa vendet si Meksika, Turqia, Rusia, Kuba, Kina dhe Bolivia përsëritën mbështetjen e tyre për qeverinë dhe presidentit Nicolas Maduro. Më pas presidenti Maduro, gjatë një fjalimi nga ballkoni i pallatit presidencial Miraflores në Karakas, duke iu drejtuar mijëra qytetarëve të Venezuelës, njoftoi ndërprerjen e të gjitha marrëdhënieve me SHBA-në dhe u dha afat 72 orë diplomatëve amerikanë të largohen nga vendi. Në një deklaratë të mëpasshme, Maduro bëri të ditur përfundimin e marrëdhënieve diplomatike dhe vazhdimin e marrëdhënieve tregtare.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re