Papunësia po zvogëlohet në Ballkanin Perëndimor, por për shkak të emigrimit ka mungesë të punëtorëve të kualifikuar, tha Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), që është organi operacional i Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore.

“Lajmi i mirë është se papunësia në rajon është në rënie. Nga viti 2019, kur ishte 16,4 për qind, deri në vitin 2022 (13,1 për qind), u regjistrua një rënie prej më shumë se 3,0 për qind. Nëse vazhdon me këtë ritëm, Ballkani Perëndimor mund të shpresojë”, tha Bregu në një deklaratë të raportuar nga RCC.

Ajo deklaroi se pavarësisht kësaj, sektorët kyç për rritjen ekonomike – teknologjia e informacionit, ndërtimi dhe prodhimi, turizmi dhe hoteleria – po luftojnë me një mungesë akute të punëtorëve të kualifikuar për shkak të emigrimit, i cili “thith punëtorët më të kualifikuar dhe më të talentuar nga rajoni, duke përkeqësuar më tej mungesën e aftësive dhe duke parandaluar përparimin.”

“Jemi dëshmitarë të rritjes së numrit të punëtorëve që importojmë nga jashtë rajonit. Kjo vlen veçanërisht për sektorin e ndërtimit, turizmit dhe hotelierisë, kujdesit shëndetësor, sektorit të teknologjisë dhe prodhimit”.

 Nevoja për investime të synuara

Bregu deklaroi se gjysma e grave në tregjet e punës në rajon janë të papuna, punësimi i të rinjve është 22.3 për qind, 18 për qind e fuqisë punëtore është e papunë e përhershme dhe se puna informale në disa vende është edhe më e lartë se 30 për qind.

“Rrethanat e sotme nënkuptojnë një tranzicion të zgjatur dhe të paqëndrueshëm të të rinjve në tregun e punës, ku ndërthurja e punës dhe studimit bëhet normë. Megjithatë, nivelet e larta të papunësisë tek të rinjtë tregojnë nevojën për ndërhyrje të synuara”, tha Bregu.

Ajo rekomandoi që autoritetet, subjektet e biznesit dhe shoqëria civile, duke njohur rolin kyç të arsimit dhe formimit profesional, duhet të bashkëpunojnë për zhvillimin e strategjive gjithëpërfshirëse.

“Përpjekjet për të frenuar emigracionin e fuqisë punëtore duhet të shoqërohen me iniciativa për të tërhequr punëtorët në rajon. Krijimi i një mjedisi sipërmarrës dhe inovativ, paga dhe përfitime konkurruese, si dhe mbështetja për formimin profesional, janë hapa të rëndësishëm për mbajtjen e njerëzve të talentuar në Ballkanin Perëndimor”, përfundoi Bregu.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re