ABC News ka siguruar një video nga aksidenti i rëndë që ndodhi pasditen e sotme në Qafë Thanë, ku një automjet u përplas me një autobus dhe më pas shpërtheu në flakë.

Nga pamjet shihet se makina është shkrumbuar totalisht. Sipas policisë, autobusi është përplasur me mjetin tip Benz, i cili më pas është përfshirë nga flakët.

Për pasojë janë dëmtuar drejtuesi i automjetit dhe 5 pasagjerët që udhëtonin me të, të cilët janë transportuar menjëherë në spital për të marrë ndihmën e duhur mjekësore.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 16:20, në aksin rrugor Qafë Thanë – Prrenjas, autobusi që drejtohej nga shtetasi I. A., 51 vjeç, me drejtim lëvizjeje Pogradec – Prrenjas, është përplasur me automjetin tip “Benz”, që drejtohej nga shtetasi I. M., 28 vjeç, me drejtim lëvizjeje nga Prrenjasi në drejtim të Pogradecit.

Si pasojë e aksidentit automjeti tip “Benz” është përfshirë nga flakët dhe për pasojë janë dëmtuar drejtuesi i automjetit dhe 5 pasagjerët që udhëtonin me të, të cilët janë transportuar menjëherë në spital, për ndihmë mjekësore.

Gjithashtu, janë shkaktuar vetëm dëme materiale në autobusin që drejtohej nga shtetasi I. A.

Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Elbasan dhe grupi hetimor, i cili vijon punën për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re