Një tjetër aksident tragjik i mori jetën dy personave,  ndërsa në gjendje të rëndë ndodhet një fëmijë.
 
Ngjarja ndodhi mëngjesin e kësaj të shtune në Kavajë pranë zonës së njohur si Mali i Robit kur një makinë humbi kontrollin dhe përplasi njerëzit të cilët ndodheshin në krah të saj.
 
Sipas policisë viktima të  aksidentit mbetën vjehrri dhe nusja, Xhemal e Edlira Pisku 69 dhe 34 vjeç, ndërsa nga përplasja u plagos rëndë fëmija 8 vjeçar i Edlira Piskut.
 
Automjeti tip ‘Toyota corolla’, i cili drejtohej nga 30 vjecarja Ilda Parroj humbi kontrollin dhe përplasi këmbësorët. Menjëherë në vendngjarje mbërritën forca të policisë dhe sipas tyre shkak i aksidentit u bë lëvizja tej normave të shpejtësisë nga ana e 30 vjeçares.
 
Ky është aksidenti i tretë i rëndë pas atij të fundjavës së shkuar në Velipojë ku tragjedia rrugore shuajti familjen Preka. Dy makina u përplasën me njëra-tjetrën, duke lënë katër viktima, babanë dhe tre fëmijët e tij, ndërsa gruaja ndodhet prej një jave në spital, në gjendje të rëndë.
 
Pas tragjedisë së Velipojës një tjetër aksident i mori jetën dy personave në Maminas. 23 vjecarja Elena Abdillari kthehej nga porti i Durrësit me një taksi kur një makinë tip benz i goditi nga pas. Ngjarja ndodhi më 22 shkurt ndërsa përplasja me bordurat e rrugës ishte fatale për 23 vjeçaren dhe drejtuesin e taksisë. Për aksidentin policia është vënë në kërkim të Fatjon Zhaporjas, ndërsa dyshohet se ai goditi qëllimisht taksinë ku udhëtonte e reja Abdillari.
 
Me një bilanc prej 8 viktimash brenda dy javëve  të muajit shkurt shifrat e aksidenteve vijojnë të jenë alarmante, ndërsa në janar nga aksidentet rrugore humbën jetën 13 persona.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re