Policia ka dhënë detaje për operacionin e zhvilluar ditën e sotme në Fier ku u arrestuan dy persona dhe u sekuestruan 83 kilogramë kanabis.

 

Në pranga ranë Fatjon Gremi dhe Amarildo Xhafa, ndërsa në kërkim u shpall Selami Lushkaj.

 

Policia informon se kishte marrë informacion për një ‘Ford’ mbushur me lëndë narkotike që lëvizte në drejtim të Fierit.

 

Forcat e policisë janë vënë në ndjekje të këtij automjeti ndërsa gjatë rrugës janë përballur me pengesa nga një tjetër automjet tip ‘Mercedez’.

 

Gjatë aksionit automjeti tip ‘Ford’ ka përfunduar në kanal ndërsa është kapur në tentativë për tu larguar drejtuesi i tij.

 

Në kërkim është vënë edhe drejtuesi i automjetit tjetër tip ‘Mercedez’.

 

Fier

Finalizohet operacioni policor i koduar “Zhavar” për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.

Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, Sektorin Operacional në DVP Fier dhe Komisariatin e Policisë Fier.

Sekuestrohen 83 kg lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa, në pranga 2 prej autorëve.

Vijon puna për kapjen e bashkëpunëtorit tjetër të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Ditën e sotme, pas informacioneve të marra në rrugë policore se në një automjet tip “Ford” që po lëviste nga Bypass në drejtim të Fierit kishte lëndë narkotike, shërbimet e Policisë organizuan punën dhe janë vënë në ndjekje të tij.

Gjatë ndjekjes së automjetit tip “Ford” që dyshohej se kishte lëndë narkotike, forcat e Policisë janë penguar nga një tjetër automjet tip “Benz”, që i siguronte rrugën automjetit tip “Ford”, i cili ka rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë me manovrat e rrezikshme që kryente për t’i shpëtuar ndjekjes.

Në fshatin Zhavar, Fier, gjatë ndjekjes nga forcat e Policisë, automjeti tip “Ford” ka dalë nga rruga dhe drejtuesi i tij, shtetasi F. G., 40 vjeç, banues në Fier, ka braktisur automjetin por falë ndërhyrjes së menjëhershme të Policisë, u kap në tokat e këtij fshati dhe u arrestua në flagrancë nga Policia për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim.

Gjatë operacionit u kap edhe drejtuesi i automjetit tip “Benz”, shtetasi A. Xh., 31 vjeç, banues në Fier, i cili u arrestua për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim.

Nga kontrolli i ushtruar në automjetin tip “Ford”, u gjetën dhe u sekuestruan 83 kg lëndë narkotike cannabis sativa.

Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe 2 automjetet, tip “Ford” dhe “Benz” dhe 3 aparate celulare.

Në vijim të veprimeve hetimore, rezultoi se në këtë veprimtari kriminale është i përfshirë edhe pronari i automjetit tip “Benz”, shtetasi S. L., 39 vjeç, banues në Baltëz, Fier, i cili u shpall në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij.

Materialet do i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re