Një person ka humbur jetën ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur si pasojë e një aksidenti automobilistik, që ka ndodhur rreth orës 01:00, mesnatën e kaluar.

J.L., ka humbur jetën, pasi automjeti në të cilin udhëtonte si pasagjer ka dalë nga rruga në aksin që lidh lagjen Gërhot me rrugën nacionale Gjirokastër-Tepelenë.

Ndërsa drejtuesi i këtij mjeti, E.H., ka mbetur i plagosur, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ende nuk dihen shkaqet e këtij aksidenti, ndërkohë paraprakisht dyshohet të jetë shpejtësia me të cilën udhëtonte makina.

Njoftimi i policisë Gjirokastër:

Në mesnatë, në rrugën e lagjes “Gërhot” (në afërsi të rrugës nacionale (Gjirokastër-Tepelenë), automjeti tip “Benz” me drejtues shtetasin E.H., ka dalë nga rruga dhe është përplasur në një mur.

Për pasojë ka humbur jetën pasagjeri që ndodhej në mjet, shtetasi J.L., 34 vjeç, banues në Gjirokastër dhe ka mbetur i plagosur drejtuesi i mjetit, shtetasi E.H., 33 vjeç, banues në Gjirokastër, i cili ndodhet në spital.

Paraprakisht dyshohet se drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin për shkak të shpejtësisë së tejkaluar. Në vendngjarje shkoi grupi hetimor dhe po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Ky është aksidenti i tretë që ndodh vetëm dy ditët e fundit me pasoja në njerëz. Një ditë më parë në aksin rrugor Tiranë-Elbasan, tre 17-vjeçarë, dy vajza dhe një djalë kanë humbur jetën, si pasojë e aksidenteve automobilistikë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re