Në Malajzi janë arrestuar 18 persona që dyshohet se punonin për shërbimin e jashtëm të inteligjencës izraelite Mossad lidhur me rrëmbimin e programuesit palestinez të softuerit.

Sipas lajmeve në mediat lokale, midis 29 shtatorit dhe 4 tetorit policia arrestoi 18 persona gjatë operacioneve në Kuala Lumpur, Selangor dhe Melaka.

Në Gjykatën e Kuala Lumpurit ka nisur çështja ndaj 11 të dyshuarve, një prej të cilëve është grua.

Thuhet se personat e akuzuar për rrëmbimin e një zhvilluesi palestinez të softuerit në Malajzi mund të përballen me dënimin me vdekje nëse shpallen fajtorë nga gjykata.

– Mund të ketë objektiva të tjerë

Shërbimi i inteligjencës së jashtme izraelite Mossad thuhet se ka spiunuar gjashtë objektiva të tjerë palestinezë në Malajzi.

Në lajmet e ‘New Straits Times’ thuhet se agjentët e Mossad-it mund të sulmojnë sërish objektivat e tyre në rastin tjetër të përshtatshëm, nën hijen e pretendimit se Mossad qëndronte pas rrëmbimit të një programuesi palestinez të softuerit në kryeqytetin Kuala Lumpur muajin e kaluar.

Misioni i drejtuar nga Mossad kërkon të eliminojë objektiva specifike në mbarë botën, duke i ekzekutuar ato dhe duke sabotuar programin e Hamasit për dërgimin e shkencëtarëve dhe inxhinierëve jashtë vendit, të cilët japin shpresë për Palestinën.

Mossad beson se këto objektiva janë jashtë vendit për të mbledhur informacion mbi teknologjinë dhe armët me qëllim të luftimit të shtetit të Izraelit.

Burimet për ‘New Straits Times’ thanë se ata besojnë se Mossad po ndjek të paktën gjashtë palestinezë që jetojnë në Malajzi.

Shumë nga njerëzit që thuhet se janë në radarin e Mossad-it janë akademikë që japin mësim në universitete, përfshirë edhe inxhinierinë.

Malajzia në Azinë Juglindore nuk ka lidhje diplomatike me Izraelin dhe mbështet fuqishëm çështjen palestineze.

Ndërkaq, pretendohet se një grua 35-vjeçare malajziane drejton rrjetin e Mossad-it në Malajzi.

‘New Straits Times’ raporton se gruaja në fjalë ishte rekrutuar nga një agjent i Mossad-it në vitin 2018 dhe iu dha një trajnim special nga agjencia e inteligjencës izraelite.

Në vitin 2018, kur gruaja malajziane u rekrutua, përkoi me vrasjen e inxhinierit palestinez 35-vjeçar dhe anëtarit të Hamasit, Fadi al-Batsh, i cili dyshohet se u vra nga agjentët e Mossad-it.

Nga ana tjetër, thuhet se gruaja krijoi një ekip vëzhgimi për rrëmbimin e zhvilluesit palestinez të programeve kompjuterike në Kuala Lumpur muajin e kaluar dhe se burrat malajzianë që punojnë për Mossad-in kanë qenë në lidhje me të.

Thuhet se gruaja në fjalë u dërgua më vonë për të studiuar jashtë vendit, përfshirë në Evropë, për t’u specializuar në “artin e spiunazhit” dhe asaj iu dhanë 120 mijë ringgit (25.412 dollarë).

– Ngjarja

Sipas ‘New Straits Times’, agjentët e Mossad-it kishin caktuar katër malajzianë për të gjetur dhe rrëmbyer dy palestinezët, për të cilët ata besonin se ishin të lidhur me krahun e armatosur të Hamasit, Brigadën Izz ad-Din al-Qassam.

Në incidentin që ndodhi më 28 shtator, malajzianët që punonin për Mossad ndaluan automjetin e programerëve palestinezë të softuerit dhe rrëmbyen një person, ndërsa personi tjetër në automjet njoftoi situatën në stacionin e policisë Dang Wangi.

Palestinezi i rrëmbyer u soll në një shtëpi malore në rajon dhe u rrah për 24 orë nga malajzianët dhe u mor në pyetje. Ndërkohë, policia kishte mbërritur në shtëpinë malore ku sulmuesit po mbanin palestinezin dhe e kishin shpëtuar këtë person me bastisjen që kishin kryer.

Sipas informacioneve nga ‘Al Jazeera Arabic’ , Mossad përdori personelin malajzian të trajnuar në Evropë për të kryer këtë operacion dhe caktoi të paktën 11 malajzianë për të gjurmuar palestinezët në vend.

Inxhinieri palestinez që jetonte në Malajzi, Fadi al-Batsh, u vra në një sulm të armatosur në Kuala Lumpur më 21 prill të vitit 2018.

Thuhet se Mossad qëndron pas vrasjes së Batsh, i cili njihet për kërkimet e tij mbi mjetet ajrore pa pilot.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re