Trashëgimia e Malcolm X, liderit të muslimanëve afroamerikanë i cili ngeli i njohur në histori si një nga figurat simbolike të luftës kundër racizmit në SHBA dhe i cili më 21 shkurt të vitit 1965 humbi jetën si rezultat i një atentati, vazhdon të reflektohet në çdo rrugë, krahas bulevardit dhe një tregu në Harlem të New Yorkut që mbajnë emrin e tij.

Malcolm X kishte fituar respekt të madh në botë me luftën e tij aktive kundër racizmit që atëbotë mbizotëronte në SHBA, ndërkohë që ende vazhdon të jetë frymëzim veçanërisht për afroamerikanët.

Thuajse në çdo cep të lagjes Harlem, ku shumica e banorëve janë afroamerikanë, mund të hasen gjurmë të Malcolm X-it, duke filluar nga tezgat e rrugës të shitësve të librave të dorës së dytë, afisheve, fanellave dhe kapelave dhe dyqanet e suvenirëve.

Në përvjetorin e 53-të nga vrasja e tij, afroamerikanët në Harlem për Anadolu Agency (AA) shpjeguan jetën dhe veprën e Malcolm X-it.

“Më parë, emrin e Malcom X-it e dëgjoja nga televizionet. Që kur u zhvendosa në Harlem kur isha 17-18 vjeç, gjurmët dhe trashëgiminë e tij i rastis gati në çdo cep dhe kam filluar t’i njoh dhe kuptoj më mirë, si dhe t’i zbatoj mësimet e tij”, tha afroamerikanja Aisha McBride, e cila jeton në Harlem.

Emri i Malcom X-it për McBride nënkupton “përpjekje dhe mbrojtje”. Ajo thotë se Malcom X ishte shembull për shumë njerëz me luftën që zhvilloi pasi doli nga errësira.

“Po të ishte gjallë, do të dëshpërohej nga ndodhitë e sotme. Sikur të jetonte më shumë, ai do të vazhdonte të luftonte dhe do të mund të bënte ndryshime më të mëdha”, shprehet McBride.

“E mora shembull dhe e ndryshova jetën time”

Nga ana tjetër, shitësi i rrugës Abdul Osman thotë se emri i Malcolm X-it ia ka mësuar atij dhe popullit të tij pjekurinë, vetëmjaftueshmërinë, mposhtjen e injorancës, arritjen e së vërtetës dhe mënyrën e përmirësimit të gabimeve.

Osman tregon se në një kohë Malcolm X shiste lëndë narkotike, kishte problem me alkoolin, kishte hyrë dhe dalë nga burgu, ndërsa më pas kishte pësuar një ndryshim në jetë.

“Edhe unë kisha përvojë të ngjashme. Përjetova burgun. E mora shembull atë dhe e ndryshova jetën time. Tani njerëzit i mësoj të fitojnë vetë duke punuar në vend të vjedhjes, si dhe të bëjnë vepra të mira për veten e tyre dhe shoqërinë ku jetojnë”, rrëfen Osman.

“Duhet t’i respektojmë dallimet”

Osman më tej thotë se të gjithë njerëzit që duhet ta respektojnë njëri-tjetrin dhe dallimet e tyre, qofshin ata të ndryshëm, të krishterë, muslimanë apo hebrenj.

“Bota ka nevojë për unitet, paqe dhe ndryshim”, vlerëson ai.

“Shpirti i Malcom X jeton në Harlem”

Nova Fuller, shitës i librave të dorës së dytë, thotë se shpirti i Malcolm X-it jeton në Harlem, ku lideri afroamerikan kishte ecur gjatë kohës së tij.

Fuller tregon se shumë njerëz e kishin konsideruar të çmendur Malcolm X-in, pasi ai kishte folur për të drejtat e njeriut, liritë dhe barazinë, duke shtuar se ai kishte luftuar deri në vdekje për këto liri dhe për ndryshime.

Rrëfimi i Malcolm X

Malcolm X, emri i vërtetë i të cilit ishte Malcolm Little, erdhi në jetë në vitin 1925 si i biri i një predikuesi me emrin Earl Little, i cili besonte se afroamerikanët nuk do t’i fitojnë liritë dhe se ata duhet të kthehen në Afrikë.

Që në moshën pesëvjeçare, Malcolmit i vritet babai nga autor i panjohur, ndërsa nëna i mbyllet në një spital të shëndetit mendor. Pas fëmijërisë që i kaloi në varfëri dhe vështirësi, në vitin 1946 u dënua me burg për vjedhje.

Gjatë kësaj periudhe, Malcolm X përvetësoi idetë e Elijah Muhammed, liderit të lëvizjes Nation of Islam (Kombi i Islamit), e cila mbronte “nacionalizmin me ngjyrë”. Ai iu bashkangjit kësaj lëvizjeje pasi u lirua nga burgu në vitin 1952. Që nga kjo kohë, Malcolmi filloi të përdor mbiemrin X, në shenjë përfaqësimi për mbiemrat e paraardhësve afrikanë të cilët ishte e pamundur të njiheshin.

Me kalimin e kohës, Malcolm X ra në mosmarrëveshje me Elijah Muhammed lidhur me përqendrimet e lëvizjes, metodat e përdorura dhe këndvështrimet ndaj fesë. Më 1964, ai u nda nga Nation of Islam.

Në periudhën e fundit të jetës së tij, ai mbrojti nevojën për të kuptuar fenë islame për zgjidhjen e problemit racor të shoqërisë amerikane dhe luftën për të drejtat e njeriut duke marrë për bazë vëllazërinë mes të gjitha racave. Gjatë kësaj kohe, ai filloi të përdorë emrin El-Hajj Malik El-Shabazz.

Më 21 shkur të vitit 1965, Malcolm X u qëllua për vdekje teksa po mbante një fjalim në Harlem.

Edhe pse tre anëtarë të Nation of Islam u dënuan për vrasje, ka pasur pretendime se pas vrasjes së tij qëndron Byroja Federale e Hetimit (FBI), e cila në periudhën e fundit të jetës së tij e kishte përcjellur në masë të madhe Malcolm X-in.

Biografia e liderit musliman me ngjyrë Malcolm X, e shkruar së bashku me Alex Haley, shkrimtarin e romanit “Rrënjët” i cili paraqet një nga kryeveprat në letërsinë afroamerikane, konsiderohet si një nga autobiografitë më të rëndësishmë të shekullit 20.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re