Mali i ka dhënë ambasadorit francez 72 orë për t’u larguar nga vendi pas komenteve “armiqësore” të autoriteteve franceze për qeverinë kalimtare të vendit të Afrikës Perëndimore.

“Qeveria e Republikës së Malit njofton opinionin kombëtar dhe ndërkombëtar se sot ambasadori francez në Bamako, shkëlqesia e tij Joel Meyer, është thirrur nga ministri i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit. Ai është njoftuar për vendimin e qeverisë që e fton atë të largohet nga territori kombëtar brenda 72 orëve”, thuhet në një njoftim të qeverisë të lexuar nga televizioni shtetëror.

Në njoftim theksohet se autoritetet e Malit vendosën të dëbojnë ambasadorin francez pas “komenteve armiqësore dhe skandaloze” nga zyrtarët francezë kundër tyre.

Kjo masë vjen në një kontekst të tensionuar verbal dhe operacional midis Malit dhe partnerit të tij historik dhe ish-kolonist.

Të enjten, në një konferencë për media, ministri francez i Punëve të Jashtme, Jean-Yves Le Drian, kritikoi juntën e Malit duke e përshkuar si “të paligjshme dhe tha se Franca është në solidaritet me reagimin e vendeve anëtare në ECOWAS, të cilët kanë vendosur të imponojnë sanksione “të fuqishme” ndaj Malit.

Le Drian po ashtu njoftoi se do të vendosë sanksione ndaj krerëve të juntës në kuadër të Bashkimit Evropian (BE).

Më herët, zëdhënësi i qeverisë së Malit, kolonel Abdoulaye Maiga, kritikoi ministren franceze të Forcave të Armatosura, Florence Parly, për instrumentalizimin e organizatave dhe ruajtjen e “reflekseve koloniale”.

“Mali sot respektohet për sovranitetin e tij. Ne po ashtu e ftojmë Parly-n të përmbahet më shumë dhe po ashtu të respektojë parimin elementar të mosndërhyrjes në punët e brendshme të një shteti, një parim elementar i marrëdhënieve ndërkombëtare”, tha Maiga javën e kaluar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re