Korrespondent i revistës franceze “Jeune Afrique”, Benjamin Roger i njohur për publikimet e tij për Afrikën, është dëbuar nga Mali.

Në deklaratën nga “Jeune Afrique”, thuhet se Roger, i cili banonte në Paris, natën e 6 shkurtit u ndalua në hotelin ku qëndronte në kryeqytetin e Malit, Bamako.

Thuhet se Roger kishte hyrë në vend me vizë të vlefshme dhe nuk e kishte fshehur identitetin e tij të gazetarit. Roger u deportua pas marrjes në pyetje në komisariat.

Në deklaratën ku nënvizohet se revista “Jeune Afrique” e dënoi incidentin, thuhet se ky vendim është i padrejtë dhe pengon lirinë e informimit.

Në Mali, akreditimi i korrespondentit francez të radios RFI u revokua në vitin 2018 dhe asnjë gazetar nuk është deportuar që atëherë.

Qeveria kalimtare e dominuar nga ushtria njoftoi muajin e kaluar se do të nisë një proces të ri akreditimi për gazetarët e huaj.

Tensionet mes Francës dhe Malit

“Erërat e ftohta” që frynin mes dy vendeve që nga pretendimet se ushtarët e “Wagner”-it do të vendoseshin në Mali, kohët e fundit u zëvendësuan nga retorika të ashpra.

Më në fund, njoftimi i juntës, e cila është në pushtet që nga gushti i vitit 2020, se do të zhvillojë zgjedhje demokratike 5 vjet më vonë, ka ashpërsuar tensionet mes këtij vendi dhe komunitetit ndërkombëtar.

Pasi ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian e përshkroi qeverinë tranzitore në Mali si “jolegjitime”, Mali i kërkoi ambasadorit francez në Bamako, Joel Meyer, të largohej nga vendi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re