Rreth muajit shkurt të vitit të ardhshëm pritet të nisë funksionimi i gjykatës së vetme të apelit për gjithë vendin në Tiranë. Pasi harta gjyqësore u miratua, tashmë në gjykatën e Apelit në Durrës kanë nisur përgatitjet për transferimin e dosjeve drejt kryeqytetit. Kjo fazë pritet të zgjasë 2 deri në 3 muaj.

 

Për kreun e dhomës së avokatisë Durrës, Lorval Petani, për shkak të kësaj situate vonesat në gjykim pritet të shtohen akoma më shumë tek çështjet civile, një pjesë e madhe e të cilave nuk po shqyrtohet nga vitit 2015.

 

LORVAL PETANI

KRYETAR I DHOMES SË AVOKATISE, DURRES

Do shohim vonesa në të gjitha çështjet. Do ketë vonesa në data, orare. Pasi të gjitha dosjet do shqyrtohen nga një gjykatë. Si ne avokatët dhe qytetarët do jemi të paqartë për atë se çfarë do ndodh.

 

Gjykata e apelit në këtë qytet, sipas burimeve pranë dhomës së avokatisë, pritet që të zhvilloje gjyqe edhe gjatë muajit nëntor, e më pas do të ndërpresë punën për shkak të procesit të transferimit të dosjeve.

 

Shtyrje të çështjeve civile përtej afateve ka dhe në gjykatën e Apelit Korçë.

 

 

ARBEN LENA

KRYETAR I DHOMES SE AVOKATISE, KORÇE

Gjykata e Apelit ka më shumë se 3 vite që nuk po gjykon çështje civile. Është me vonesë dhe në çështje të tjera. Më shumë ka të bëjë me mosplotësimin e trupave gjyqësore.

 

Vetëm pak ditë më parë në këtë gjykatë u plotësua një trupë gjykuese, por për avokatët është e pamjaftueshme, pasi kalvari i dosjeve është tejet i madh. Momentalisht shqyrtohen vetëm masat e sigurisë, dhe çështjet penale por çështjet civile janë shumë të rralla.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re