Skip to content

Mali i Zi mbyll kufirin me Shqipërinë

Autoritetet malazeze kanë vendosur të mbyllin kufijtë tokesorë me Shqipërinë dhe të lejojnë hyrjen tranzit në territorin malazez vetëm për shtetasit që posedojnë një dokument që rezultojnë negativ ndaj COVID-19, të bërë brenda 48 orëve.

Lajmi është bërë i ditur nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, e cila njofton se njësia Operacionale kunder koronavirusit ne Mal të Zi ka vendosur të rishikojë listën e vendeve, shtetasit e te cileve do lejohen të hyjnë në territorin e ketij vendi.

Një vendim i tillë ka ardhur si pasojë e rritjes së numrit të rasteve të reja me koronavirus në vendin tonë, duke e kaluar 700 raste aktive,  limit ky i vendosur më parë nga autoritetet malazeze dhe që e kalon shifrën 25 të infektuar për 100.000 banorë.

Ministria e Jashtme bën me dije se nga ky kufizim përjashtohen udhëtarët që kanë një funksion/nevojë thelbësore, si:- profesionistët shëndetësorë, kërkuesit mjekësorë; personeli i angazhuar me transportin e mallrave dhe çdo personel tjetër transporti;  diplomatët, stafi i organizatave ndërkombëtare, personeli ushtarak dhe punonjës të ndihmës humanitare.

Vendimi për mbylljen e kufijve hyn në fuqi mesnatën e së dielës në datë 21 qershor dhe është i vlefshëm deri në një vendim të dytë të Njësisë Operacionale të Krizës në Podgoricë.

Në hartën e publikuar nga autoritetet malazeze qytetarëve nga Shqipëria, Kosova, Bosnje-Hercegovina, Turqia, Izraeli, Polonia, Rumania, Italia dhe Ukraina, u lejohet hyrja nëse posedojnë një test negativ ndaj Covid 19, ndërsa shtetasit e Serbisë e Maqedonisë së Veriut, e kanë të ndaluar hyrjen në Mal të Zi.