Pas aferës “tuneli”, Mali i Zi do të kërkojë formimin e një ekipi të përbashkët hetimor me vendet fqinje që do të mundësojë shkëmbim më të lehtë të të dhënave për luftën kundër krimit të organizuar, shkruan portali i Radio-Televizionit të Malit të Zi.

Sipas informacioneve të portalit, për të realizuar një iniciativë të tillë, duhet pëlqimi i prokurorisë së shtetit, pasi sipas ligjit në krye të ekipeve të përbashkëta hetimore është prokurori.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Drejtorisë së Policisë, Nikola Terziç, foli të hënën në Beograd me përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, por, sipas raportimeve, ekipi i përbashkët hetimor nuk do të përbëhet vetëm nga hetues malazezë dhe serbë, por mund të përfshijnë edhe përfaqësues të vendeve të tjera të rajonit si Bosnja dhe Shqipëria.

Ky ekip do të merrej me problemin e përgjithshëm të krimit të organizuar në Ballkan dhe hetimet e përbashkëta, por edhe me rastin më aktual në Mal të Zi, gërmimin e një tuneli nga një apartament në rrugën Njegoševa deri në depon e Gjykatës së Lartë në Podgoricë.

Tuneli u zbulua më 11 shtator në Podgoricë dhe spekulohet se motivet e një sipërmarrjeje të tillë kriminale janë vjedhja dhe komprometimi i provave, arratisja e njërit prej të burgosurve apo ndoshta edhe sulmi fizik.

Ekspertët mjeko-ligjorë kanë hequr gjurmët nga banesa ku ka nisur gërmimi dhe pritet që në ditët në vijim të dihen më shumë për autorët e këtij krimi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re