Në Podgoricë, të premten është arrestuar prokurori special Sasha Çagjenoviç, nën dyshimin se ka kryer veprën penale të krijimit të organizatës kriminale dhe disa vepra të tjera penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Çagjenoviç është arrestuar me urdhër të Prokurorisë Speciale të Shtetit (SDT).

“Me urdhër të SDT-së, Departamenti i Policisë Speciale i ka hequr lirinë prokurorit special S.Ç mëngjesin e sotëm”, njoftoi SDT.

Dyshohet se Çađenoviç, veprat penale për të cilat akuzohet, i ka kryer nga mesi i vitit 2020 deri në vitin 2022.

“SDT do ta informojë publikun me kohë për veprimet e mëtejshme dhe gjendjen e procedurës… Autoritetet shtetërore, mediat, shoqatat e qytetarëve, personazhet publike dhe personat e tjerë janë të detyruar t’i përmbahen prezumimit të pafajësisë dhe të mos cenojnë të tjerët, rregullat e procedurës dhe të drejtat e personit ndaj të cilit zhvillohet procedura”, ka deklaruar prokurori i shtetit Vukas Radonjiç.

Prokurori i çështjes “grusht shteti”

Çađenoviç ishte prokuror në shumë raste, duke përfshirë rastin “grusht shteti”, në të cilin liderët e Frontit Demokratik (DF) Andrija Mandiç dhe Milan Knezheviç u dënuan fillimisht me pesë vjet burg secili.

Në fillim të majit të këtij viti, FD-ja njoftoi se “sot janë plotësuar kushtet që ish-kryeprokurori special Milivoje Katniç dhe zëvendësi i tij Sasha Çađenoviç të arrestohen dhe ndiqen penalisht”.

Kjo u bë e ditur pasi një ditë më parë Katniç sqaroi rolin e tij dhe të SDT-së në fshehjen e provave dhe ndalimin e hetimeve për lidhjet e oficerëve të lartë të policisë me krerët e “klanit kavak”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re