Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale po vijon fushatën e ndërgjegjësimit në të gjithë vendin me moton “Duaje veten”, për kryerjen e kontrollit të mamografisë me qëllim parandalimin e kancerit të gjirit.

 

Për të gjitha ato gra të cilat nuk kanë mundësi të shkojnë tek mjeku apo pranë një qendre shëndetësore, këtë vit prioritet i është dhënë dërgimi i njësive të lëvizshme të mamografisë në zonat rurale dhe të largëta.

 

Në kuadër të programit të depistimit të kancerit të gjirit, njësia e lëvizshme e mamografisë sot ndaloi në fshatin Drizë, në Njësinë Administrative Qendër, të Bashkisë Fier, me përqendrimin të lartë të komunitetit rom, për të kryer mamografinë grave e nënave të komunitetit rom.

 

Ato e falënderuan Ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, e cila mundësoi për herë kryerjen e vizitave pranë vendbanimit të tyre. Për ministren është tejet e rëndësishme që çdo grua që nuk ka mundësi, të ketë akses të drejtpërdrejtë për të kryer momografinë.

 

Gjatë bashkëbisedimit znj. Koçiu u foli për domosdoshmërinë e kryerjes së kontrollit periodik dhe diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit.

Ajo tha se jo vetëm gjatë këtij muaji, por edhe çdo ditë të vitit gratë dhe vajzat mund të kryejnë falas ekzaminimet për kancerin e gjirit pranë çdo spitali publik dhe qendrave shëndetësore.

 

“Rëndësi ka që ju të kujdeseni për veten se ndryshe nuk kujdeseni dot për familjen dhe komunitetin tuaj”, – u shpreh ministrja.

 

Programi i Depistimit Kombëtar, shtrirja e mbulimit me mamografi falas në të gjithë territorin, përfshirja e barnave të reja moderne si herceptina në listën e barnave të ofruar falas nga shteti, zgjerimi i kabineteve onkologjike në Spitalet Rajonale, kanë çuar në rritjen e numrit të diagnostikimeve të hershme, si dhe në uljen e numrit të fataliteteve. Në 20 ditët e para të “Tetorit Rozë”, u kryen 6248 kontrolle dhe mamografi në të gjithë vendin.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re