Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka përsëritur edhe njëherë apelin për respektimin e masave anti-COVID të bëra të ditura sot nga Komiteti i Ekspertëve.

Manastirliu shkruan në një status në rrjetet sociale se zbatimi i masave në dy javët e ardhshme do të vendosë nëse do të ketë apo jo lehtësim. Ajo shton se zinxhirin e infeksionit mund ta këpusim vetëm përmes zinxhirit të solidaritetit.

“Masat anti-COVID. Zbatimi i masave në dy javët e ardhshme do të vendosë nëse do të kemi shtrëngim të mëtejshëm të tyre, apo do të kemi lehtësim.

Zinxhirin e infeksionit mund ta këpusim vetëm përmes zinxhirit të solidaritetit”, shkruan Manastirliu.

Komiteti Teknik i Ekspertëve njoftoi sot ndalimin e qarkullimit duke filluar nga ora 20:00 e mbrëmjes deri në orën 06:00 të mëngjesit për të gjithë. Përjashtim nga ky ndalim bëjnë vetëm ata që kanë urgjenca shëndetësore dhe ata që shkojnë në punë.

Vendimi i dytë lidhet me aktivitetin e restoranteve dhe bareve, të cilët do të mund të qendrojnë hapur deri në orën 20:00 të mbrëmjes dhe mund të hapen vetëm pas orës 06:00 të mëngjesit.

Sa i përket shkollave të mesme, mësimi do të kalojë online deri më datë 25 shkurt në rrethet: Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnje, Pogradec dhe Kamëz duke aplikuar kështu skenarin nr.3 të protokollit të sigurisë të miratuar nga Ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë.

Vendimi i katërt lidhet me shtyrjen e sezonit të provimeve të semestrit në universitete duke bërë një kombinim mes provimeve online dhe me prezencë sipas nevojave që mbart lënda.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re