Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaroi se punonjësit socialë kanë kryer një punë shumë të mirë pasi në shtëpitë e fëmijëve nuk ka asnjë të prekur me koronavirus.

Në Ditën Kombëtare të Jetimëve ajo u shpreh se punonjësit do të marrin shpërbim nga qeveria. Nga shtëpia e foshnjes “Hannah dhe Rozafa”, Manastirliu tha se janë 130 punonjës që zgjodhën t’u shërbejnë fëmijëve, të moshuarve, grupeve në nevojë duke qëndruar larg familjeve të tyre.

“Zgjodhëm këtë ditë të veçantë, që është Dita Botërore e Fëmijëve Jetimë për t’ju shprehur mirënjohjen më të thellë. Në çdo ditë të vitit ju bëni një punë të jashtëzakonshme me fëmijët pa përkrahje prindërore. Por në këto kohë të vështira, sakrifica juaj është e paçmuar. Ne vendosëm një strategji të vetëizolimit të punonjësve socialë për të kufizuar rrezikun e përhapjes së COVID19 dhe falë sakrificës tuaj kjo strategji rezultoi e suksesshme sepse asnjë person në qendrat tona sociale nuk është prekur nga ky virus i rrezikshëm. Qeveria ka vendosur mbështetjen financiare për ju dhe së bashku me UNICEF që ka kontribuar po ashtu, përbëjnë paketën e plotë të mbështetjes në këtë periudhë të vështirë për të gjithë, ku pavarësisht angazhimit me situatën shëndetësore, ne ju kemi patur gjithmonë në fokus”, tha Manastirliu.

Që prej fillimit të epidemisë, punonjësit sociale në qendrat e përkujdesit janë izoluar në shërbim të fëmijëve, të moshuarve dhe grupeve vulnerabël.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re