Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka marrë pjesë në organizimin për prezantimin e planit 2021-2023 të përgjigjes ndaj pandemisë dhe impaktit post Covid-19. Në fjalën e saj, ministrja Manastirliu bëri të ditur se edhe muaji tetor, njësoj sikurse shtatori, do të jetë një muaj i hapur për vaksinimin.

“Brenda pranverës së vitit të ardhshëm duhet të kemi vaksinuar popullatën target dhe më pas të vazhdojmë me dozën e tretë. Përgatitja jonë ka qenë në kohë rekord. Mos harrojmë si u gjend bota në ato momente, ishin të panjohura për ne, por me masat që u morën në kohën e duhur ne arritëm të sigurojmë dozat e nevojshme të vaksinave.

Jemi krenarë që i kemi qëndruar çdo plani dhe jemi përgatitur për çdo skenar. Pandemia na mësoi që planet ndryshohen, të panjohurat janë të mëdha, por vaksina redukton rastet e rënda të sëmundjes dhe shmang fatalitet deri në 100%. Edhe muaji tetor do jetë i hapur për vaksinimin, siç ishte shtatori dhe ku u pa një rritje e mbulesës vaksinale. DO vijojmë të kemi edhe tetorin të hapur për vaksinim”, tha Manastirliu.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re