Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaroi se po fuqizohen masat anti-COVID edhe në spitalet rajonale. Ajo kreu një inspektim në Spitalin e Durrësit këtë të shtunë.
Teksa vlerësoi punën e bërë deri tani për parandalimin e përhapjes së virusit, Manastirliu tha se duhet të vijohet po njësoj.
“Spitalet janë ato vende ku ka një fluks të madh pacientësh, që ka një lëvizje dhe intensitet shumë të madh, ku është ekspozimi më i madh ndaj Covid19. Është një përgjegjësi e përbashkët, e para sigurimi i gjithë materialeve mjekësore personale që nuk kanë munguar në asnjë moment për mjekët dhe infermierët tanë dhe gjithë personelin shëndetësor por edhe vigjilenca maksimale në zbatimin e protokolleve të sigurisë. 100 shtretër reanimacioni janë duke u vendosur në spitalet tona universitare dhe rajonale. Jo vetëm shtretërit e reanimacionit por një seri aparaturash duke filluar nga respiratorë të lëvizshëm, eko, aspirator për salla, pra një seri setesh të cilat fuqizojnë terapinë intensive. Strategjia jonë është fuqizimi i njesisve të reanimacionit në të gjitha spitalet tona, edhe ato rajonale.”
Ministrja e Shëndetësisë nga Durrësi apeloi familjarët e pacientëve në spitale që të shmangin sa më shumë vizitat në spitale, të respektojnë rregullat e vendosura, pasi prezenca e tyre është një rrezik më tepër për përhapjen e infeksionit.
