300 mijë teste të shpejta pritet të vijnë në Shqipëri brenda pak javësh. Kështu deklaroi ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu në një komunikim me gazetarët këtë të dielë.
“Jemi të përgatitur për të financuar testet e shpetja. Është bërë porosia nëpërmjet instrumentit të Bashkimit Europian për 300 mijë teste të shpejta të anti-genit me financim të qeverisë shqiptare.”
Ministrja nënvizoi se gjatë javëve të fundit janë shtuar testimet.
“Nga qershori kur ne kishim fare pak raste të të prekurve, krahasuar me sot dhe ku totali i testimeve ka qenë 8883 testime, tetori është mbyllur me 39 mijë e 51 testime dhe vetëm në 13 ditët e para të nëntorit janë 24 mijë e 48 testime të kryera në sistemin tonë publik dhe 11 mijë e 380 të kryera për efekt të depistimit në sistemet jo publike në laboratorët e çertifikuar me metodën e PCR. Numri i testimeve është rritur nga nevoja dhe nga situata epidemiologjike”, tha Manastirliu.
Ajo bëri dhe një pasqyrim të situatës epidemiologjike duke bërë dhe një krahasim me vendet e rajonit.