Skip to content

Manastirliu: Kemi rritur numrin e shtretërve në spitale nëse rastet me COVID-19 shtohen

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaroi se po merren të gjitha masat për të përballuar shtimin e rasteve me koronavirus.

Ajo, bashkë me ambasadorin Luigi Soreca, mori pjesë në ceremoninë e dorëzimit të sasisë së tretë të mbështetjes së BE për Shqipërinë. Manastirliu tha edhe për stafet mjekësore janë shpërndarë mjete mbrojtëse.

 “Ne jemi duke punuar fort për të ndërtuar një plan dhe për të patur përgjigjie sa më të mirë ndaj çdo të papriture që mund të na vijë nga Covid19, nga ky virus që të vetmen gjë që i njohim është paparishikueshmëria. Jemi duke fuqizuar në vazhdimësi kapacitetet tona testuese, kapacitetet tona në njësitë e terapisë intensive në spitale. Kemi rritur numrin e shtretërve në funksion të përballimit të rasteve që mund të shtohen, siç është spitali i ri me 100 shtretër kapacitet. Gjithashtu edhe një prej spitaleve në QSUT që është përshtatur për t’iu përgjigjur rasteve nëse do të kemi fluks të shtua. Sot çdo mjek, çdo infermier, çdo punonjës i shëndetësisë ka të gjithë materialet e mbrojtjes personale për të qenë sa më i mbrojtur në përballje me Covid19. Nga ana tjetër edhe terapitë e mjekimit nuk mungojnë. Jemi duke bërë përpjekje maksimale që të vijojmë me të njëjtin ritëm. Por është e nevojshme që të kemi bashkëpunimin e të gjithëve.”

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca tha se Bashkimi Europian do të vijojë të jetë krah Shqipërisë jo vetëm në këtë situatë por edhe në aspiratën për të qenë pjesë e familjes europiane.