Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu ka marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare “Ristrukturimi ekonomik për një zhvillim të qendrueshëm, ndikimi i turizmit në këtë proces”, organizuar nga Fakulteti Ekonomik, Universiteti i Tiranës.

Duke e konsideruar zhvillimin e turizmit në vendin tonë si një nga faktorët kryesore të ekonomisë, Ministrja Manastirliu, tha se për mbarëvajtjen e këtij sektori, duhet t’i përgjigjemi me kapital njerëzor të kualifikuar.

“Fjala kyçe është kapitali njerëzor dhe kur flasim për zhvillimin e kapitalit njerëzor këtu roli i arsimit është  përcaktues. Dhe nuk flasim sot vetëm për universitetin, nëse nuk orientojmë këto mega-trende që në arsimin parashkollor, deri tek arsimi parauniversitar, e më tej tek ai profesional dhe universitar”, tha Ministrja Manastirliu.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit nënvizoi se profilizimi dhe ndërkombëtarizimi i universiteteve është domosdoshmëri për t’ju përgjigjur kërkesave të zhvillimit ekonomik.

“MAS është duke punuar ngushtësisht me universitetet për një ofertë të re akademike, për t’i profilizuar universitetet tona dhe për t’i dhënë mundësinë që programet e studimit të mundet që të përshtaten, të riorganizohen dhe të ristrukturohen, në funksion të zhvillimit ekonomik dhe social të rajoneve. Kemi filluar një projekt me Universitetin e Korçës me zhvillim- profilizimin e tij, duke orientuar programet drejt atyre programeve që kërkon tregu i punës dhe gjithashtu të vijojmë me një strategji agresive ndërkombëtarizimi”,- tha Ministrja Manastirliu.

Manastirliu ka konsideruar me rëndësi edhe orientimin e hershëm të nxënësve drejt arsimit profesional, si rruga më e mirë për punë të sigurt dhe përgjigjes me kapital të kualifikuar njerëzor gjithë këtij zhvillimi të turizmit.

Konferenca Ndërkombëtare ‘Ritrukturimi ekonomik për një zhvillim të qendrueshëm, ndikimi i turizmit në këtë proces”  është mbajtur për 2 ditë, me pjesëmarrjen e profesorëve, doktorantëve të Fakultetit të Ekonomisë, kërkues shkencor nga universitete të tjera për të folur rreth nevojës për ristrukturim, rregullim të ekonomisë në sektorë të ndryshëm me qëllim informimin dhe orientimin për të kthyer boom-in në turizëm, në një fenomen me përfitime afatgjata.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re