Skip to content

Manastirliu në Kosovë: Shkëmbim mjekësh dhe shërbime falas në zonat ndërkufitare

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Prishtinë, 10 Qershor – Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ditën e sotme po zhvillon një vizitë pune në Kosovë, ku është pritur nga Zv/Ministrja Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, Dafina Gexha Bunjaku, pasi Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës dr. Rifat Latifi ka patur një ndërhyrje urgjente kirurgjikale.

 

Në konferencën e përbashkët për mediat u ritheksua angazhimi i dy qeverive për të forcuar bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë. Gjatë fjalës së saj, ministrja Manastirliu tha se brenda muajit qershor, do të finalizohen dy marrëveshje të reja, të cilat cilat synojnë që të ofrojnë më shumë garanci për kujdesin shëndetësor për qytetarët shqiptarë dhe qytetarët e Kosovës, me fokus të veçantë në zonat kufitare.

“Së shpejti do të finalizojmë marrëveshjen e re për shërbimin shëndetësor në zonat ndërkufitare nga mjekët e Shqipërisë dhe të Kosovës në spitalet e zonave kufitare. Do të ketë shkëmbim të ndërsjellë të mjekëve mes dy vendeve, ndërkohë që do të ketë bonus për mjekët e Kosovës, që do të ofrojnë shërbim në Spitalin e Kukësit” – tha Manastirliu duke bërë me dije se dy marrëveshjet, do të nënshkruhen në mbledhjen e ardhshme të dy qeverive Shqipëri-Kosovë brenda muajti qershor.

 

Marrëveshja tjetër, për të cilën dy palët disktuan dhe u dakordësuan, ka të bëjë me shkëmbimin e barnave, vaksinave, pajisjeve biomjekësore si dhe krijimin e qendrave të përbashkëta për trajtimin e sëmundjeve të rralla.

 

“Një element i rëndësishëm i kësaj marrëveshje do të jenë edhe korridoret e shpejta që do të krijojmë, nëpërmjet protokolleve të bashkëpunimit për shkëmbimin e barnave, vaksinave, pajisjeve biomjekësore. Në këtë kuadër, marrëveshja mes Agjensive të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore të dy vendeve do të mundësojë pikërisht zhvillimin e protokolleve të shpejta, përsa i përket qarkullimit të barnave dhe rritjes së kontrollit dhe cilësisë së barnave në të dy vendet, në mënyrë që të kemi proçedura më të shpejta, pa burokraci, por mbi të gjitha, të kemi garancinë për barnat që qarkullojnë në të dy vendet”, tha Manastirliu.

Duke qenë se sezoni turistik sapo ka filluar dhe shumë qytetarë nga Kosova vijnë në bregedetin shqiptar, Manastirliu siguroi zv/ministren e Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, Dafina Gexha Bunjaku, se qendrat shëndetësore do të jenë në shërbim të pushuesve dhe qytetarëve nga Kosova.

 

“Dua të përmend turizmin veror e dimëror si një nga shumë komplementaritetet që na sjellin edhe më afër. Meqë jemi para sezonit të plazhit, si Ministri jemi shumë të interesuar që qytetarët tonë të Republikës së Kosovës gjatë verës të kenë qasje të duhur në sistemin shëndetësor të Republikës së Shqipërisë, nëse ata kanë nevojë dhe kurdo që kanë nevojë. Sikurse edhe gjatë sezonit të dimrit fluksi i turistëve merr për nga këndej“- tha Zv/Ministrja Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, Dafina Gexha Bunjaku.

“Ne kemi siguruar si Ministri Shëndetësie, që prej datës 15 qershor, qendrat shëndetësore verore që janë prej vitesh në dispozion të pushuesve, edhe këtë vit të jenë në dispozicion të pushuesve dhe gjithashtu t’i shërbejnë me shumë cilësi të gjithë pushuesve, turistëve, dhe qytetarëve shqiptarë dhe kosovarë, duke mos pasur asnjë mungesë dhe duke u dedikuar me gjithë shërbimet e urgjencës dhe gjithashtu dhe në shërbimet spitalore që mund të dalin nevoja”, tha Manastirliu.

Marrëveshjet e reja mes dy vendeve parashikojnë ngritjen e një komiteti të përbashkët ndërmjet dy ministrive të shëndetësisë së dy vendeve, për të hartuar protokollin për ofrimin e shërbimeve shëndetësore të specializuara nga mjekët e Shqipërisë dhe Kosovës në zonat kufitare. Lidhur me urgjencat mjekësore dhe shërbime të specializuara, do të ketë trajtim të ndërsjelltë në spitalet e Kukësit, Gjakovës dhe Prizrenit, për qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës, bazuar në protokollin e bashkëpunimit.

 

Shkëmbimi i mjekëve dhe profesionistëve në funksion të menaxhimit sa më të mirë klinik të rasteve specifike në dy anët e kufirit, do të jetë një tjetër hap konkret drejt përmirësimit të shërbimit shëndetësor në këto zona. Palët do të angazhohen të krijojnë një korridor mbështetje në rast nevojë, në shkëmbimin e ndërsjelltë të barnave të rralla, testeve apo produkteve mjekësore.

 

Forcimi i bashkëpunimit në fushën farmaceutike do të formalizohet mes marrëveshjes së përbashkët mes dy agjensive të barnave në lidhje me sigurinë dhe kontrollin e cilësisë së barnave dhe pajisjeve mjekësore, duke shkëmbyer eksperiencat mes profesionistëve, por edhe duke vënë në dispozicion laboratorët e kontrollit të barnave për ngritjen e kapaciteteve dhe forcimin e farmakovigjilencës në dy vendet.

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë