Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtes Sociale, Ogerta Manastirliu zhvilloi një takim me stafin mjekësor, në spitalin e Fierit  ku garantoi se mbështetja për mjekët dhe infermierët nëpërmjet rritjes së pagave dhe krijimit të kushteve të punës është prioritet i qeverisë shqiptare.

Ajo deklaroi se sistemi shëndetësor po përgatitet për çdo skenar, për të përballuar epideminë e shkaktuar si pasojë e COVID19, duke përfshirë edhe spitalet rajonale. Manastirliu tha se nëse do të tejkalohet numri i pacientëve të konfirmuar pozitivë me COVID19, që do të marrin trajtim në spitalet e dedikaura COVID, po forcohen kapacitetet në spitalet rajonale, me qëllim ofrimin e shërbimit edhe në këto spitale.

 

Ministrja e Shëndetësisë vlerësoi punën e shërbimit të hemodinamikës në spitalin rajonal të Fierit, ku, nga Janari janë kryer 421 ndërhyrje nën drejtimin e doktor Shkëlqim Kallashit, kardiologut Ermir Mile dhe stafit ndihmës. Ndryshe nga kohe me pare, sot ky sherbim ne Spitalin e Fierit i siguron të gjithë zonës së jugut,  koronarografinë e zemres me teknika të avancuara.

 

“Ishte e pamenduar pak vite më parë, kur spitalet rajonale ishin veçse përcjellëse të pacientëve drejt Tiranës, të kryheshin procedurat delikate në zemër në këto spitale. Falë investimeve që qeveria shqiptare ka bërë, falë punë së jashtëzakonshme të ekipeve të mjekëve dhe të infermierëve, është bërë e mundur që spitalet rajonale të ofrojnë shumë më shumë shërbime afër vendbanimit. Kjo falë edhe investimeve që janë kryer në teknologji, por edhe për faktin se ka sot më shumë mjekë kanë përfunduar specializimet dhe janë atashuar pranë spitaleve rajonale për të ofruar këto shërbime kaq shumë të rëndësishmë, jetike për qytetarët”, tha Manastirliu.

 

Ministrja e Shëndetësisë nënvizoi se qeveria shqiptare do të vijojë me transformimin e sistemit shëndetësor dhe mbështetjen për mjekët dhe infermierët, nëpërmjet rritjes së pagave dhe përmirësimit të kushteve të punës./ E.S ( Vizion Plus)

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re