Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka deklaruar se pavarësisht rritjes së shifrave nga data 1 qershor do të vazhdojë plani i hapjes ashtu si ishte vendosur.

Ajo deklaroi se nga 1 qershori do të lejohet lëvizja në të gjithë territorin e vendit, hapen plazhet. çerdhet, kopshtet dhe kufijtë tokësorë.

“Nuk duhet harruar se rihapja kërkon vigjilencë individuale. Do vazhdojmë me planin tonë të rihapjes me lirinë e lëvizjes. Do të kërkohet sakrifica individuale.

Është vendosur që ne të ndjekim planin e vendosur më herët pavarësisht rritjes së shifrave.

Nga 1 qershori lejohet lëvizja në të gjithë territorin pa asnjë kufizim. Do të hapen çerdhet dhe kopshtet dhe kufijtë tokësore. Mbetet në fuqi karantina 14 ditë.

Nga data 1 qershor plazhet do të jenë të hapura me autorizime nga një autoritet i përkohshëm që është ngritur në këtë periudhë. Të gjithë të zbatojnë protokollet që do të bëhen publike.

Do të lejohen kampionatet sportive pa praninë e publikut. Do të hapen parqet. Po punohet për një plan për transportin publik por deri në miratimin e tij do qëndrojnë të mbyllura.

Do të qëndrojnë të mbyllura aktivitetet kulturore, kinematë, teatrot, palestrat dhe klubet”, tha Manastirliu.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re