Sistemit shëndetësor publik i janë shtuar edhe 66 mjekë të rinj, të cilët sapo janë punësuar pas një procesi transparent e meritokratik përmes portalit “Mjekë për Shqipërinë”.
Gjatë takimit me mjekët e rinj, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu foli për përmirësimin e infrastrukturës dhe të teknologjisë, për të krijuar kushtet dinjitoze për punën e mjekëve si dhe për rritjen e incentivave financiarë në vijim.
Manastirliu nënvizoi se duke filluar nga viti 2024, do të ketë sërish rritje të pagës për mjekët e familjes, mjekët e përgjithshëm dhe infermierët.
‘Do të kemi këtë vit një rritje të targetuar të pagave për mjekët specialist, paga bazë e të cilëve do të rritet me 500 dollarë. Gjithashtu do të rrisim pagën -siç e kemi premtuar- edhe për mjekët dhe infermierët tanë në masën 7% këtë vit. Duke filluar nga viti 2024, ne do të kemi sërish rritje page të targetuar për mjekët e familjes, mjekët e përgjithshëm dhe infermierët tanë, për të garantuar që politika e rritjes së pagave të jetë një politikë e qëndrueshme”, theksoi ajo./