Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu prezantoi ditën e sotme Planin e Përgjigjes kundër pandemisë së Covid-19 për dy vitet e ardhshme, 2021-2023.

Teksa bëri me dije se prioritet kyç i këtij plani do të jetë vaksinimi i plotë i popullatës mbi 18 vjeç përpara pranverës, Manastirliu ceku dhe investimet që riten të ndërmerren nga qeveria në sistemin shëndetësor.

Ministrja theksoi se fokusi i investimeve do të fokusohet tek Urgjenca Kombëtare, shtimi i flotës së autoambulancave, investimet tek aparaturat që do të rrisin efiçencën e Institutit të Shëndetit publik, si dhe investime për blerjen e skanerave dhe grafive të reja.

“Përpjekja mbetet tek rritja e mbulesës vaksinale, që padyshim është një detyrë e jona, e sistemit shëndetësor i cili është çdo ditë në këmbë në funksion të kësaj detyre. Qeveria shqiptare ka garantuar deri më tani dozat e nevojshme të vaksinës. Brenda pranverës së vitit të ardhshëm ne duhet që të mundësojmë vaksinimin e popullatës target, ashtu sikurse e kemi përcaktuar. Ndërkohë që tashmë e kemi marrë vendimin për të siguruar që edhe studentët të jenë të vaksinuar dhe të shkojnë në universitete të vaksinuar për të siguruar që shkollat tona të vazhdojnë procesin normal të mësimit në auditore, ndaj edhe muaji tetor do të jetë një muaj i hapur për vaksinimin”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha gjatë fjalës saj tha se nevojitet një ridimensionim i sistemit shëndetësor, përsa i përket mënyrës së përdorimit të burimeve njerëzore dhe financiare në shërbim të qytetarëve.

“Drejtimi i parë i ridimensionimir të sistemit shëndetësor është kujdesi parësor. Një punë e madhe do të bëhet në raport të riorganizimit të sistemit parësor edhe në funksion të asaj që ne kemi projektuar, që është strategjia e kujdesit parësor për integrimin e shërbimeve socio-shëndetësore. Ka ardhur koha që të fillojë ky implementim, pra i një kujdesi të integruar socio-shëndetësor. Fokusi tjetër është tek shëndeti mendor nga impakti post-Covid”, bëri me dije Manastirliu.

Duke folur për investimet e bëra në 8 vite në sistemin shëndetësor, që mundësuan përballimin e pandemisë së Covid-19, Manastirliu tha se forcimi i kapaciteteve do të vijojë me investime të tjera.

“Plani ynë parashikon që të ketë rreth 1800 shtretër të parashikuar për çdo skenar të mundshëm. Vënuia në dispozicion e këtyre shtretërve është pjesë e planit tonë të mëparshëm që lidhet gjithashtu me furnizimin me barna, me apartaurat e oksigjen, si dhe materialet mbrojtëse për pacientët, por ajo e cila është shtylla që na mat ne me përkujdesjen ndaj pacientit janë udhëzimet, të cilat duhet të jenë pjesë e punës sonë, duke përfshirë dhe studimet e reja që dalin së fundi.

Për sa i përket qeverisë shqiptare, ka angazhuar më shumë se 12 milionë dollarë në mbështetje të mjekëve dhe infermierëve që kanë qenë në vijën e parë të luftës kundër Covid-19. Investimet janë gjithëpërfshirëse, duke filluar nga Urgjenca Kombëtare, nga flota e autoambulancave, te Instituti i Shëndetit Publik me fuqizimin me aparatura, duke përfshirë mbështetjen e donatorëve si “Global Found” që do të sjellë ardhjen e një sekuencatori që do të rrisë në një nivel më të lartë punën e Institutit.

Për sa i përket përmirësimit të sistemit të survejancës, ndalemi tek një investim që do të luaj rol kyç në përmirësimin e aparaturave në infektiv.

Aparatura të reja janë duke u investuar nëpërmjet Bankës Botërore dhe qeverisë për pajisjen me skanera të rinj, me grafi të reja, që shkojnë në rritjen e kapaciteteve të spitaleve tona”, tha Manastirliu.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re