Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu konfirmoi se rimbursimi i ilaçeve do të kryhet përmes dy skemave. Ajo tha për mediat se tek skema e parë përfshihen ata që e kalojnë lehtë sëmundjen.
“Të dyja skemat e mjekimit janë pjesë e udhëzuesit të miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve. Mjeku i familjes e di kur trajtohen, si trajtohen, kur merret skema e parë e trajtimit, çfarë elementësh ka skema e parë apo e dytë, këtë e përcakton mjeku. Paketa e rimbursimit për trajtimin ambulator në banesë të personave të testuar pozitiv me Sars-Cov-2 përbëhet nga dy skema trajtimi, në përputhje me formën e sëmundjes sipas udhëzuesit të miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve. Skema 1 e trajtimit e cila përfshin format e lehta të prekjes nga infeksioni i shkaktuar nga Sars-Cov-2. Skema 2 e trajtimit e cila përfshin format e moderuara të prekjes nga infeksioni i shkaktuar nga Sars-Cov. Kostoja vjetore parashikohet 1.2 miliard lekë në vit.”
Manastirliu ju bëri apel qytetarëve të lidhen me mjekët e familjes dhe të mos mjekohen me receta nga telefoni.
