Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, i trembet faktit që numri i të infektuarve ëhstë rritur në dy ditët e fundit. Ajo thekson se rreziku është potencial dhe masat duhet të vazhdojnë.

“Është e vërtetë që ka pasur rritje të rasteve të prekura dhe dy humbje jetësh, që tregon se rreziku është potencial dhe masat duhet të vazhdojnë. Ne jemi në një brez të qëndrueshëm, pavarësisht rasteve që mund të klasifikohen si pozitive. Nuk kemi një situatë, që mund të na çojë në një parashikim të keq, por patjetër që i kemi pritshmëritë tona. Ne do të përballemi me raste të COVID në vend, ku 50% e rasteve pozitive janë në kryeqytet. Në të gjithë vendin kemi 20 vatra aktive, familjare dhe vatra të punës.”, tha Manastirliu në “Real Story”.

Ajo u kujtoi qytetarëve që të zbatojnë rregullat e distancimit social.

“Ky është një moment për t’i bërë thirrje gjithë publikut për të vijuar masat e distancimit fizik, higjienës, etj. Gjithë plani ynë në raport me planin e rihapjes së ekonomisë, jetës sociale, përkthehet në një qëllim të caktuar, që nuk është qëllim në vetvete ai i hapjes, por të mësuarit me rregullat e reja, që duhet të absorbohen nga të gjithë ne.

Për të bërë një bilanc pas 12 javësh të epidemisë, këto 12 javë ishin një sprovë e sistemit shëndetësor, por edhe gjithë investimeve që janë bërë në këtë sistem. Rasti më i çmuar janë mjekët dhe infermierët, ndaj të cilëve kemi një borxh. Ata e kanë treguar veten se janë në lartësinë e detyrës dhe këtë situatë e kanë përballuar mbështetur në sistemin shëndetësor dhe qeveria shqiptare”, përfundoi ajo.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re