1 vit pandemi, Manastirliu vlerëson ekipin mjekësor: Drita në fund të tunelit gjithnjë e më e dukshme, të hënën mbërrijnë doza të tjera të vaksinave Pfizer

Tiranë, 09 Mars- Sot bëhet një vit në luftën ndaj COVID19, e cila nisi me identifikimin e dy rasteve të para në Laboratorin e Virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik dhe trajtimin e dy pacientëve të parë në Spitalin Infektiv, më 9 Mars të vitit 2020. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu teksa i shprehu mirënjohjen ekipit mjekësor të Infektivit, bëri me dije se dozat e radhës sipas kontratës me kompaninë Pfizer do të mbërrijnë të hënën.

“Unë jam e kënaqur që brenda kësaj jave përfundojmë vaksinimin e ekipeve tona mjekësore, infiermierore dhe ky është një hap drejt fitores ndaj virusit por nuk është mjaftueshëm sepse në fakt e gjithë popullata, sidomos ata të cilët janë grupe prioritare, do të vijojnë vaksinimin, ashtu sikurse ne jemi duke bërë. Më shumë se 20 mijë vaksinime janë kryer deri tani, presim të hënën të vijnë dozat e tjera të kontratës së Pfizer, për të vijuar vaksinimet e të gjithë personelit dhe të moshuarve që tashmë i kemi kryer me dozën e parë. Presim nga COVAX të vijnë dozat e vaksinës AstraZeneca dhe do të njoftohemi besoj në një moment të shpejtë për datën e mbërritjes së 14,400 vaksinave nga instrumenti COVAX”, tha Manastirliu.

Që prej fillimit të pandemisë në vend janë shënuar 113,580 raste pozitive, 1956 humbje jete, ndërsa 75,887 qytetarë e kanë fituar betejën me virusin e rrezikshëm. Aktualisht në vendin tonë janë 35,737 raste aktive me COVID19.

(R.G/Faxweb.al)



/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re