“Hapja e sistemit shëndetësor do të jetë me faza. Duke filluar nga kjo javë e në vazhdim do të hapen fashat orare të vizitave në qendra shëndetësore dhe poliklinika, në parametra dhe protokolle sigurie për respektimin e distancimit fizik, për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve dhe personelit shëndetësor nga përhapja e COVID19”.

Kështu deklaroi këtë të mërkurë ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Ajo tha se do të nisë plani i hapjes së vizitave në kujdesin parësor dhe të specializuar, por do të vijojë të rekomandohet për të sëmurët kronikë të shmangin sa më shumë të jetë e mundur kontakti me institucionet shëndetësore.

“Asnjëherë sistemi shëndetësor nuk ka qenë i mbyllur, përkundrazi, për të gjitha urgjencat dhe nozologjitë që kanë kërkuar trajtim, sistemi shëndetësor është përgjigjur në kohë dhe me cilësi për qytetarët. Sistemi shëndetësor do të hapet me faza dhe do të fillohet me planin e hapjes së vizitave në kujdesin parësor dhe specialistik, ndërsa për konsultat apo ndërhyrjet kirurgjikale do të jetë një fazë e mëtejshme”, tha Manastirliu.

Sipas ministres së Shëndetësisë, fillimisht do të vlerësohet pas datës 11 Maj, do të vlerësohet hapja e mëtejshme e sistemit shëndetësor.

“Pasi të vlerësohet kjo periudhë dy javore se si do të shkojë epidemia, Komiteti Teknik i Ekspertëve do të vlerësojë për fazat e mëtejshme të hapjes së sistemit shëndetësor. Për ne ka rëndësi mbrojtja e shëndetit të qytetarëve dhe stafeve mjekësore”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha se do të vijojnë vizitat dhe konsultat online edhe gjatë kësaj periudhe. Që nga fillimi i epidemisë, janë kryer 106 mijë vizita online dhe 7700 konsulta të specializuara tek mjekët.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re