Askush më parë nuk kishte fituar 3 mandate radhazi në historinë e pluralizmit në Shqipëri, e për të festuar këtë  socialistët e prirë nga Edi Rama u mblodhën në Sheshin “Skënderbej”, me liderin që nuk i kurseu lavdet dhe mesazhet për të tijtë.

“Siç ishit ju për mua më 25 prill, do të jem unë për ju aty ku do duhen, ditë e natë, në katër vitet që vijnë. Fitoi forca më e madhe demokratike që shqiptarët kanë krijuar ndonjëherë për Shqipërinë, PS. Gëzuar fitoren sepse është e gjitha e juaja. Por mos e harroni kurrë, asnjëherë, më tutje se kjo fitore duhet merituar në çdo ditë të 4 viteve që kemi para, duhet ta bëjmë natën ditë me punë për shqiptarët. Me përkushtim dhe respekt për këdo pavarësisht se kë ka votuar”, u tha Rama socialistëve të mbledhur në sheshin “Skënderbej”, pas fitores në prill.

Nën petkun e fituesit, Rama garantoi se qeverisja e tij nuk do ta ndalë punën sidomos në dy sektorë, pandeminë Covid-19 dhe rindërtimin, të mbartura që nga mandati i dytë.

“Shqipëria është shumë e vogël për të mos u bërë dot ajo që meritojnë shqiptarët. Shqipëria bëhet dhe do ta bëjmë ne, shqiptarët e kësaj dekade. Do të rinisim punën që nesër me një vrull të ri, nga shërimi i plotë dhe i shpejtë i krejt plagëve të tërmetit dhe shporrja e armikut të padukshëm, ta luftojmë me një ambicie të re armikun brenda vetes, që na tërheq në rrugën e ndasisë e të sherrit. Shqipëria fitoi më 25 prill, tani është radha jonë të fitojmë çdo ditë për Shqipërinë e të gjithë shqiptarëve. Zoti qoftë i duruar me ne dhe ne të duruar me njëri-tjetrin. Rroftë PS-ja, rroftë i madh e i vogël që ka lindur shqiptar. Rroftë Shqipëria!”

Bashës, Rama i shtriu dorën e bashkëpunimit si fitues, ndërsa e argumentoi qëndrimin e tij me interesin e përbashkët për vendin.

“Mesazhi im është pranoje humbjen me dinjitet dhe me bindjen se bëre sa munde. Miq demokrat jemi më të mirë, ju jeni më të mirët pas nesh, ky është fakt dhe faktet pranohen, nuk luftohen, nuk më takon mua dhe nuk është përgjegjësia, as e drejta jonë, të vendosim se si do e pranoni, nëse do jetë apo jo Basha në 4 vite e ardhshme është puna juaj, por me apo pa Bashën, opozita jonë është vetja jonë. Shtrijmë dorën e një bashkëpunimi të sinqertë dhe konkret pa asnjë paragjykim. Nuk na ndajnë qëllimet madhore, ne duam integrimin në BE, por duke e bërë hendek balte dhe armë për të qëlluar apo asgjësuar njëri-tjetrin, ky qëllim nuk shpejtohet. Socialistë e demokratë duan nga të dyja palët që ta rrisin ekonominë dhe mirëqenien, por duke nxirë me komunikim, rritja e komunikimit nuk e shpejton, përkundrazi.”

Qasja e Ramës nuk ishte e njëjtë për Berishën dhe Metën, teksa për këtë të fundit me shumicën parlamentare e shkarkoi në Kuvend në muajin qershor, me pretendimin e shkeljes së Kushtetutës. 3 ditë pas vendimit, më 12 qershor, socialistët u mblodhën në Kongresin Kombëtar, ku edhe pse u morën disa vendime të rëndësishme organizative, vëmendjen e mori largimi i krahut të djathtë të Edi Ramës në parti, Gramoz Ruçi, i cili dha dorëheqjen.

Vera kaloi e qetë për socialistët, por jo të gjithë e gjetën veten në të njëjtën situatë më 2 shtator, kur Rama thirri Asamblenë e Përgjithshme të Partisë. Gratë zunë mazhorancën dërrmuese të Qeverisë, duke marrë 12 nga 17 ulëset në kabinetin e ri, ku vetëm 5 prej tyre janë meshkuj. Krah vetes, Edi Rama caktoi  Arben Ahmetajn në postin e numrit dy të Qeverisë, duke rikonfirmuar dhe njëherë besimin që ka për ish-ministrin e Rindërtimit, i cili ka mbajtur gjithnjë poste të rëndësishme në pushtetin e socialistëve.

Surprizat më të mëdha, Rama i rezervoi te ndryshimet në parti ku u bë një rokadë e brendshme mes socialistëve. Nga 10 sekretarë, mbijetoi vetëm një, që mori edhe postin më të rëndësishëm, atë të sekretarit të Përgjithshëm, duke zëvendësuar deputetin më të votuar Taulant Ballën.

Goditja e dytë kundër Taulant Ballës erdhi me ndryshimet mes drejtuesve politikë në qarqe. Largimi i tij nga Elbasani drejt Fierit, përveçse minoi pushtetin e votave ku kishte investuar prej shumë vitesh, u bë edhe më e hidhur, kur zëvendësimi u bë nga i njëjti person që i mori numrin dy të partisë, Gjiknuri.

Qeveria e re u mandatua pa polemika nga presidenti i shkarkuar prej socialistëve, sfidat e të cilëve mbeten të njëjta. Edhe mes socialistëve ka optika të ndryshme sa i përket fokusit të një mandati të tretë radhazi.

“Ka vështirësi të panumërta, janë sfida që vështirë të përmbushen se janë sfida globale si; pandemia, çështjet ekonomike, por edhe disa probleme si tërmeti dhe sfida tjetër, se si do të bindin shqiptarët të mos largohen nga vendi dhe ta shohin të ardhmen këtu. Reforma në drejtësi të urojmë që të përmbushet, se është ende larg pritshmërive që patëm, thithja e investimeve, çështja e pronës, që janë në rreth vicioz, duhet bërë kujdes. Çështje e mprehtë edhe imazhi si në opinionin publik europian dhe vendet fqinje që duhet punë për ta përmbysur këtë imazh. Dhe të gjitha këto nuk mund të përmbushen pa opozitën dhe pa angazhimin publik, si edhe integrimi në BE i shqiptarëve”, e komentoi Arta Dade mandatin e tretë të PS-së, e ftuar në “Absolut 4”, në A2 CNN.

Lufta e brendshme mes demokratëve mori vëmendjen e publikut në nisje të mandatit të tretë të socialistëve, të cilët vijuan qeverisjen të pashqetësuar deri në mes të muajit dhjetor, kur ish-ministri Lefter Koka, i tërhequr nga mandati i deputetit më 1 shtator, u arrestuar për një aferë korruptive, nëpërmjet së cilës akuzohet se ka përfituar miliona euro. Por, socialistët lanë duart shumë shpejt me ish-ministrin e tyre, për të cilin thanë se veproi me kokë të tij, e për këtë duhet të mbajë përgjegjësi personale.

Vëmendja nga afera e ish-ministrit u zbeh shumë shpejt, teksa publikimi i listës së pagave të mbi 600 mijë shqiptarëve, u kthye në temën e ditës në diskutimin politik në vend. Pavarësisht një ndjese formale, edhe në këtë rast, qeveria nuk pranoi të marrë asnjë përgjegjësi.

Dhjetori duhej të ishte koha e një bilanci të parë, si për ekzekutivin e Edi Ramës, ashtu edhe për 100-ditëshin që vetë ai i la afat Damian Gjiknurit para se të votëbesohej sekretariati i ri i partisë. Vëmendja publike e fokusuar te hallet e brendshme të opozitës, i kanë lejuar Edi Ramës që llogaritë e bëra në Vilën 31 të vazhdojë t’i mbajë për vete, shoqëruar me qetësinë që pakkush kujtohet t’i prishë, për t’i rikujtuar përgjegjësinë që ka përballë qytetarëve për të bërë transparencë.(A2)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re