Skip to content

Mandati s’mjafton: pse Eisenkot mund të dështojë në formimin e qeverisë së re izraelite

OVERCOME 20261109181653741 02efb1bb3c33356dbfe938f1f4d637a8 1536x1023 1

Gadi Eisenkot, lideri i opozitës izraelite, ka marrë mandatin për të formuar qeverinë e ardhshme. Ky ishte një vendim i mbështetur në numrin më të madh të rekomandimeve që ai mori nga deputetët, përfshirë përfaqësuesit e partive arabe dhe të partisë ultraortodokse Judaizmi i Bashkuar i Torës.

Megjithatë, marrja e mandatit nuk do të thotë se formimi i qeverisë është i sigurt. Presidenti Isaac Herzog mund t’ia kishte besuar këtë detyrë edhe Benjamin Netanyahut, pasi Likud doli partia më e votuar, por vendosi ndryshe.

Ky është një tregues se kryeministri në largim nuk e kontrollon më të gjithë mekanizmin e pushtetit. Një përpjekje tjetër e Netanyahut për të dobësuar opozitën u zhvillua përmes hetimeve ndaj partive arabe.

Kreu i Shin Bet-it, David Zini, nisi një hetim për pretendimet mbi manipulimin e votave dhe financimin e këtyre forcave nga Turqia dhe Katari.

Paralelisht, Mossad-i hetoi dyshimet për rrjedhje parash në mbështetje të partive arabe. Hetimet u shoqëruan me arrestime dhe presion ndaj deputetëve të zgjedhur, të cilët u thirrën për t’u marrë në pyetje në rrethana që u konsideruan frikësuese.

Por gjykatat, policia dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i rrëzuan gradualisht pretendimet për manipulim të procesit zgjedhor.

Për më tepër, hetimi iu hoq Shin Bet-it, ndërsa u vunë në pikëpyetje edhe kompetencat e drejtuesit të tij. Kështu, një përpjekje tjetër për të penguar konsolidimin e opozitës, nuk dha rezultatin e dëshiruar për Netanyahun.

Kryeministri në largim nuk ka ndërmend të dorëzohet lehtë. Ai ende shpreson që Eisenkot të dështojë në formimin e qeverisë, në mënyrë që mandati t’i rikthehet atij.

Për Netanyahun, kjo do të ishte një mundësi e re për të qëndruar në pushtet, pavarësisht humbjes elektorale. Një goditje tjetër për planet e tij, ishte edhe refuzimi i Donald Trumpit për të mbështetur një sulm ndaj Iranit përpara zgjedhjeve, një skenar që mund t’i kishte dhënë mundësi të forconte pozitat politike.

Sipas procedurës, Eisenkot ka 28 ditë për të formuar qeverinë, me mundësi zgjatjeje edhe për 14 ditë të tjera. Nëse dështon, mandati mund t’i kalojë sërish Netanyahut.

Nëse edhe ai nuk arrin të krijojë një shumicë, presidenti do t’u drejtohet individualisht deputetëve të Knessetit për të parë nëse ekziston një kandidat tjetër.

Në rast dështimi edhe të kësaj përpjekjeje, vendi do të shkojë në zgjedhje të reja, ndërsa Netanyahu do të drejtojë qeverinë gjatë periudhës kalimtare.

Për të siguruar shumicën, Eisenkot duhet të kapërcejë dy pengesa kryesore, të dyja të lidhura me partinë Israel Beitenu të Avigdor Liebermanit.

E para është kërkesa për shërbimin e detyrueshëm ushtarak edhe për hebrenjtë ultraortodoksë, të cilët aktualisht përfitojnë nga përjashtimet.

E dyta është kundërshtimi ndaj çdo forme bashkëpunimi me partitë arabe, qoftë edhe përmes mbështetjes së jashtme ose abstenimit në votimin e qeverisë.

Për çështjen e shërbimit ushtarak, duket se është arritur një hap përpara. Lieberman ka shprehur gatishmërinë për të zbutur kundërshtimin e tij, çka ka hapur rrugën për afrimin e Judaizmit të Bashkuar të Torës me opozitën.

Kjo parti, dikur pjesë e kampit të Netanyahut, e ka rekomanduar Eisenkotin për kryeministër, por ende nuk ka vendosur zyrtarisht nëse do të marrë pjesë në qeverinë e tij.

Edhe nëse marrëveshja arrihet, opozita do të kishte 55 mandate, pra ende larg shumicës prej 61 deputetësh. Në këtë pikë merr rëndësi qëndrimi i Shas-it, një tjetër parti ultraortodokse që deri tani ka mbetur besnike e Netanyahut.

Sipas Jerusalem Post, Shas mund të shqyrtojë mbështetjen për një qeveri të drejtuar nga Eisenkot, nëse zgjidhet çështja e statusit të studentëve të shkollave fetare, të cilët përfitojnë nga përjashtimi prej shërbimit ushtarak.

Megjithatë, partia po pret që Judaizmi i Bashkuar i Torës të bëjë hapin e parë drejt largimit nga kampi i Netanyahut. Nëse edhe shtatë deputetët e Shas-it do të kalonin në anën e Eisenkotit, opozita do të siguronte shumicën parlamentare.

Një mundësi tjetër është krijimi i një qeverie me pjesëmarrjen e partive arabe ose me mbështetjen e tyre nga jashtë. Për momentin, këtë alternativë e mbështesin qartësisht vetëm Demokratët e Yair Golanit.

Pengesa kryesore mbetet vetoja e disa forcave që mbështesin Eisenkotin, për të cilat bashkëpunimi me partitë arabe është ende i papranueshëm politikisht. Megjithatë, kjo mundësi mund të rikthehet në tryezë nëse negociatat e tjera dështojnë.

Eisenkot ka deklaruar gjithashtu se synon të tërheqë deputetë nga partitë që aktualisht janë pjesë e qeverisë, veçanërisht nga Likud dhe Sionizmi Fetar i Bezalel Smotrich.

Kjo do të ishte një rrugë për të zgjeruar shumicën pa u varur nga partitë arabe. Por për momentin, perspektiva mbetet e pasigurt, pasi drejtuesit e partive po ushtrojnë kontroll të fortë mbi deputetët e tyre.

Kur mori mandatin, Eisenkot foli për një “rrugë krijuese dhe jokonvencionale” për kapërcimin e krizës. Kjo mund të nënkuptojë edhe përpjekje për të bindur deputetë të veçantë që të braktisin kampin qeverisës.

Në ditët në vijim, Eisenkot pritet të përqendrohet paralelisht te afrimi i dy partive ultraortodokse dhe te shkëputja e deputetëve nga koalicioni aktual. Vetëm nëse këto dy rrugë dështojnë, mbështetja e partive arabe mund të bëhet alternativa e fundit.

Prandaj, marrja e mandatit nuk garanton ardhjen e tij në pushtet. Ajo që po vendoset këto ditë nuk është vetëm e ardhmja politike e Netanyahut, por edhe drejtimi që do të marrë Izraeli dhe një rajon i tërë, Lindja e Mesme, ku lufta e shpallur nga qeveria izraelite ka pasoja përtej kufijve të vendit.