Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do të jetë prioritet për sistemin e drejtësisë në vend. Ky objektiv u bë i ditur nga ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i cili këtë të enjte prezantoi rekomandimet e Këshillit të Ministrave për Prokurorinë e Përgjithshme.

 

Në fjalën e tij, Manja theksoi se kjo luftë e drejtësisë vjen në koherencë me rrugëtimin e vendit drejt integrimit në BE.

 

Ministri i Drejtësisë theksoi se inkurajon çdo hallkë të këtij sistemi që të përmirësojë cilësinë hetimore.

 

“Edhe lufta kundër korrupsionit mbetet prioritet dhe ne jemi të ndërgjegjshëm që kjo do të jetë një nga sfidat tona kryesore në procesin e integrimit në BE. Ka vijuar bashkëpunimi mes prokurorisë së përgjithshme për rritjen e efektivitetit për veprat që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Këshilli i ministrave rekomandon rritje të numrit të çështjeve edhe për vitin 2023. Ne inkurajojmë që të rriten hetimet proaktive me qëllim përmirësimin e cilësisë së hetimeve veçanërisht në fushën e korrupsionit”, tha ai.

 

Por, për të pasur rezultate pozitive në hetimin e këtyre fushave, Manja theksoi se duhet të garantohet pavarësi e prokurorëve. Në të kundërt, sipas ministrit, çdo kush që shkel ligjin do përballet edhe me pasojat.

 

“Ne përballemi me 2 situata të ndryshme. Prokurori duhet të jetë i pavarur në vendimet që merr. Të garantohet pavarësia e prokurorëve. Pavarësia e prokrurorit garanton përgjegjshmërinë e tij në mënyrë të paanshme. Çdo prokuror që shkel ligjin të përballet me drejtësinë”, tha ai.

 

Lufta e korrupsionit dhe krimit të organizuar është një ndër pikat kyçe që vendi duhet të përmirësojë për të arritur të integrohet në BE.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re