Skip to content

Manjani: Politikanët shkojnë derë më derë për kodoshllëqe politike, të ndalohet me ligj

Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka bërë tre propozime, në lidhje me partitë politike, për të cilat thotë se duhet të ndajnë një herë e mirë privaten nga publikja.

Në një postim në rrjetet sociale, Manjani shkruan se çfarë duhet të ndalohet me ligj!

Postimi i plotë i Manjanit:

Për mendimin tim ligji duhet të ndalojë:

1.Cdo politikan, kandidat apo partiak që të shkojë në mjedise private për të lypur vota.

2.Vendosjen e partive politike në godina private.

3.Përfshirjen e partive në jetën private të njerëzve.

Politika është një e mirë publike ndaj duhet zhvilluar në agora, sheshin publik.

Në kohët e sotme në hapësirat publike fizike, elektronike e mediatike.

Aty shpalosen idetë e pikpamjet dhe idetë.

Politikani derë më derë shkon vetëm për kodoshllëqe politike, jo për politikë.  Mjedisi publik është vendi i shpalosjes së ideve. Në njedisin privat ka vetëm dallavere, shitje e blerje.

Partia në mjedise private është pronë private, jo aset publik.

Le pastaj ndërhyrja e partive në jetën private, të dhënat apo telefoninë private. Kriminale fare.

Në ka gjë që ne kemi nevojë ta ndajmë njëherë e mirë kjo është ndarja e publikes nga privatja. Kemi nevojë që politika të jetë e mirë publike, jo vetëm e mirë private e atyre që e bëjnë.

Njerizit duhet të jenë të lirë të arsyetojnë e të vendosin. Kjo liri nuk garantohet nëse politikani apo “ustai i votave” të vijnë në shtëpi, në telefon apo në vendin ku punon për të të intimiduar.

Çdokush duhet të jetë mjaftueshmërisht i lirë të formojë një opinion nga informacioni që merr në sheshin publik të ideve, jo nga trokitja e derës apo zilja e celularit.

Arsyetimi se kështu apo ashtu e ka edhe bota, nuk pi ujë fare. Sepse ajo botë ku referohemi e ka të ndarë publiken nga privatja. Neve jo.

Ndaj duhet një ligj i rreptë që politika të bëhet ekskluzivisht në mjedis publik.

Politikani gjendet në mjedis privat vetëm në shtëpinë e tij ose në një mjedis familjar apo shoqëror në kohën e tij/saj jo politike.