Që në vitin 2016, për ish ministrin e Drejtësisë, Ylli Manjani, LSI-ja po merr vendime politike të gabuara. Në studion e “Ilva Now”, z. Manjani tha se ajo çfarë i ka bërë më shumë dëm LSI-së si parti politike, është largimi i z. Meta për t’u bërë president.

“Që nga 2016 e këtej, LSI-ja në gjithë procesin e saj politik ka marrë vendime të gabuara, nuk është vetëm djegia e mandateve por është edhe koalicioni i 2017-tës.

Vajtja e Ilir Metës në Presidencë ishte krye vendimi i gabuar për fatin e LSI-së. Minus 120 mijë vota nga zgjedhjet e fundit. Nuk ka çfarë të ndodhë më rëndë se sa kaq për një parti politike”, u shpreh z. Manjani.

Megjithatë, për Ylli Manjanin, Ilir Meta nuk është larguar kurrë nga LSI-ja, pasi shumica prej vendimeve që ka marrë LSI-ja edhe pas largimit të z Meta, kanë qenë të këtij të fundit.

“Vendimet e LSI-së janë të Ilir Metës. Kjo historia që “dogjëm mandatet dhe nuk pyesim presidentin”, këto janë muhabete kot të gjitha sepse presidenti Ilir Meta ka qenë dhe mbetet njeri i rëndësishëm për LSI-në”, u shpreh ish ministri i Drejtësisë.

Ylli Manjani shtoi se Ilir Meta ka gabuar edhe si president, duke krijuar idenë e një presidenti të përfshirë në politikë.

“Ilir Meta ka bërë gabime të rënda në sjelljen politike dhe publike të tij, ai krijoi idenë e një presidenti të përfshirë në politikë, kjo është e dukshme. Nuk është antikushtetuese detyrimisht, siç thotë parlamenti, por është një president që kishim vite që nuk ishim mësuar ta shihnim”