Teksa më 29 janar Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pritet të japë vendimin për drejtuesen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda Donika Prela, ish-Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, vë bast se ajo do ta kalojë me sukses vettingun pavarësisht kritikave nga përfaqësuesi i ONM-së në seancën dëgjimore.

Relatorja Valbona Sanxhaktari ka konstatuar probleme me deklarimin e pasurisë. Shkelje janë vërejtur në blerjen e një apartamenti në Durrës dhe të një sipërfaqe toke në kryeqytet.

Drejtuesja e Krimeve të Rënda deklaroi se ka blerë një apartament në vitin 2007, me sipërfaqe 95.6m2 me vlerë 32.100 euro.

Objekti është shitur disa vite më pas me një çmim prej 80 mijë eurosh. Për këtë është vlerësuar se ka një mospërputhje mes çmimit të tregut dhe atij që ishte deklaruar.
Në deklarimin e pasurisë drejtuesja e krimeve të rënda ka regjistruar dhe një apartament prej 135.9 m2, me vlerë 110 mijë euro të blerë në vitin 2018.

Përsa i përket tokës arë, Prela zotëron një sipërfaqe 1000m në Petrelë me çmim 350 mijë lekë. Edhe këtu KPK ngriti pikëpyetje, pasi vlera është më e ulët se tregu. Një pikë që solli replike mes Preles dhe përfaqësuesit të operacionit ndërkombëtar të monitorimit ishte edhe paga e bashkëshortit, të cilin ai nga viti 2003 deri në 2011 e ka marrë cash.

Përfaqësuesi i ONM, Teo Jacobs u shpreh se me këtë veprim janë shmangur tatimet. Ai ngriti dyshimin se mund të ketë pasur bashkëpunim për të shmangur taksat. Madje ai ka nënvizuar se kjo i ka lënë një shije të hidhur.

Por Prela tha se i takon kompanisë të paguajë detyrimet në shtet. Në përfundim të mbledhjes, pas daljes nga salla, Prela u pyet për zgjidhjen e çështjes ‘Shullazi’ një nga sqarimet që iu kërkua nga ONM.

Vendimi i KPK-së për drejtuesen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda pritet të jepet në 29 janar kjo për shkak të dokumentacionit dhe provave të paraqitura nga drejtuesja e krimeve.

Në seancë kërkoi rikonfirmimin në detyrë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re