Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të premten të lërë në fuqi konfirmimin në detyrë të prokurores Manjola Kajana, duke i hapur rrugën dekretimit të saj në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion, SPAK.

Vendimi u shpall publikisht në kohë reale në faqen e KPA, nëpërmjet platformës livestream për shkak të masave kufizuese ndaj përhapjes së COVID-19.

Manjola Kajana e kaloi vetingun në shkallë të parë më 18 qershor 2019, por Komisioneri Publik e ankimoi atë me argumentin se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk kishte kryer një hetim të plotë.

Procesi në Kolegj u fokusua tek dyshimet për konflikt interesi përmes aplikimit të bashkëshortit të subjektit si i pastrehë në Fier si dhe marrjen e një kredie në Bankën Kombëtare Tregtare.

Gjithsesi, pas administrimit të dokumentacionit të plotë, Komisioneri Publik, Florian Ballhysa pranoi se Kajana nuk kishte qenë në konflikt interesi dhe kërkoi konfirmimin e saj në detyrë.

Gjatë shqyrtimit gjyqësor në Kolegj rezultoi se Kajana nuk kishte hetuar ndonjëherë zyrtarë të Bashkisë Fier apo punonjës të BKT dhe Komsioneri u tërhoq nga ankimi duke arugmentuar se subjekti i rivlerësimit nuk gjendej në kushtet e konfliktit të interesit në asnjë rast.

Trupi gjykues i Kolegjit që shqyrtoi ankimin e Komisionerit ndaj vendimit të KPK për Kajanën, përbëhej nga Natasha Mulaj kryesuese, Luan Daci relator dhe Ina Rama, Rezarta Schuetz e Ardian Hajdari anëtarë

Vendimi i Kolegjit i hap rrugën dekretimit të Kajanës për një post në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re