Zgjedhjet parlamentare të mbajtura të mërkurën në Maqedoninë e Veriut u shndërruan në triumf për partinë opozitare të djathtë VMRO-DPMNE të Christian Mickoski, sipas rezultateve përfundimtare të shpallura nga Komisioni Kombëtar Zgjedhor i vendit.

VMRO-DPMNE siguroi 58 nga 120 vende, me partinë e dytë më të madhe shqiptare, BDI-në e Ali Ahmetit, me 19 ulëse.

Vetëm 18 vende janë të siguruar nga LSDM-ja në pushtet e Dimitar Kovacevskit, tashmë në largim, duke dalë e treta, diçka e paimagjinueshme deri dje, një disfatë e rëndë kjo për një parti në pushtet. Ndërsa BDI e Ali Ahmetit, për ironi, edhe pse me një rezultat triumfues, me gjasë do jetë në opozitë pas gati dy dekadash në pushtet, si te qe një LSI në Maqedoni.

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Christian Mickoski, tha se në ditët në vijim do të fillojë negociatat me koalicionin opozitar shqiptar “Vlen” për formimin e qeverisë.

Mickoski përjashtoi çdo mundësi për bashkëpunim me BDI-në, e cila në 20 vitet e fundit ka marrë pjesë në të gjitha qeveritë e koalicionit të vendit.

Qeveria e re, bazuar në legjislacionin zgjedhor, duhet të formohet jo më vonë se 50 ditë pas zgjedhjeve parlamentare, pra rreth fundit të qershorit.

Presidenti i ri betohet të dielën

Në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të mbajtur në të njëjtën kohë me zgjedhjet parlamentare, kandidatja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Silianovska, u zgjodh presidente e re e Maqedonisë së Veriut.

Presidentja e re fitoi me një diferencë të madhe ndaj Stevo Pendarovskit, i cili është edhe presidenti në largim i vendit.

Gordana Silianovska do të betohet të dielën, më 12 maj, në një takim të veçantë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re